Ismail Kadare është përzgjedhur si kandidati mes nëntë finalistëve për çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt. Sipas organizatorëve, prezantimi i finalistëve ndërkombëtarë vërteton edhe një here, se letërsia e shkëlqyer nuk njeh kufij.
Letërsia botërore prezanton nëntë finalistët për Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt 2020. Mes finalistëve renditet edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, me romanin “Prilli i thyer”. Neustadt është një nga çmimet e pakta ndërkombëtare ku poetët, romancierët, skenaristët dhe dramaturgët janë të pranishëm.
Finalistët janë: Emmanuel Carrere (Francë), Jorie Graham (Shtetet e Bashkuara), Jessica Hagedorn (Filipine / Shtetet e Bashkuara), Eduardo Halfón (Guatemala), Ismail Kadare (Shqipëri), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laabi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (Vietnam / Shtetet e Bashkuara).
Ismail Kadare është një nga zërat më të rëndësishëm në letërsinë botërore sot. I lindur në Shqipëri në vitin 1936, nisi botimin e poezisë dhe fiksionit në vitet 1960, kur Shqipëria ishte nën një regjim totalitar. Veprat e tij ë para janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) dhe “Kronikë në Gur” (1971). Për të vijuar më pas, me: “Pallati i ëndrrave”, “Prill i thyer”, “Dosja H” etj. Proza e Kadaresë vlerësohet për poezinë dhe eksplorimin e saj të pashembullt. Puna e Kadaresë është një testament monumental për vëzhgimin e tij sesi “shkrimtari është armiku natyror i diktaturës”. Romanet e tij janë përkthyer në dyzet e pesë gjuhë. Në vitin 2005, ai u nderua me çmimin përurues të “Man Booker International” dhe më pas i “Princit të Asturias” (2009) etj. Romani përfaqësues në çmimin “Neustadt” është “Prill i thyer”.
“Është emocionuese që një grup i tillë shkrimtarësh të famshëm të konkurrojnë për çmimin Neustadt”, është shprehur Robert Con Davis-Undiano, drejtor ekzekutiv i Letërsisë Botërore.
Organizatorët e konsiderojnë letërsinë një zë të fuqishëm, që na mëson për botën përtej vetes. Prandaj, ky prezantim i finalistëve ndërkombëtarë vërteton edhe një herë se letërsia e shkëlqyer nuk njeh kufij.
“Neustadt” është çmimi i parë ndërkombëtar letrar, që origjinën e ka në Shtetet e Bashkuara, që daton prej vitit 2003, nga Universiteti i Oklahomës. Përpos që është krahasuar me Nobelin për letërsi, duke u quajtur “Nobeli Amerikan”, disa nga emrat që janë vlerësuar me këtë çmim janë: Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti etj. Fituesi do të shpallet më 16 tetor, në Festën e Neustadt Litit 2019.