Kryeministri i Izraelit ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të zgjohet nga kërcënimet e Iranit derisa raketat bërthamore iraniane të bien në tokën evropiane .
Netanyahu foli lidhur me çështjen pasi ministrat e jashtëm të BE thanë se shkeljet nuk ishin të rëndësishme.
Të hënën, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE u takuan në Bruksel për të diskutuar veprimet dhe përpjekjet e Iranit.
Më pas, shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini tha se ministrat nuk i kanë parë shkeljet si shumë serioze dhe se ato ende nuk do të nxisin Nenin 36 të marrëveshjes bërthamore, që mund të çojë në sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit.
Netanjahu, i cili ishte një kundërshtar i vendosur i marrëveshjes bërthamore, ka akuzuar Iranin se ka gënjyer lidhur me armët bërthamore që nga viti 2015. Irani i ka quajtur akuzat “qesharake”.
Tensionet mes Iranit dhe Perëndimit janë përshkallëzuar në muajt e fundit, me SHBA që fajësojnë Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës në Gjirin e Omanit dhe për rrëzimin e një avioni mbikëqyrjeje të SHBA mbi Ngushticën e Hormuzit .
Ndërkohë, Franca, Britania dhe Gjermania thanë të dielën se ata janë të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve në rajonin e Gjirit Persik dhe nga prishja e mundshme e marrëveshjes bërthamore të 2015 me Iranin duke bërë thirrje për dialog mes të gjitha palëve.
Vendet evropiane thanë në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga zyra e presidentit francez “Rreziqet janë të tilla që është e nevojshme që të gjithë palët e interesuara të ndalojnë dhe të marrin në konsideratë pasojat e mundshme të veprimeve të tyre”, thanë në deklaratën e përbashkët.
“Ne besojmë se ka ardhur koha për të vepruar me përgjegjësi dhe për të kërkuar mënyra për të ndaluar eskalimin e tensionit dhe për të rifilluar dialogun”.