MENU
klinika

Të dhëna

Ligji i ri i pagesave, ç’pritet të nxisë?

31.07.2019 - 13:54

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, që pritet të sjellë risi të rëndësishme në tregun e pagesave në Shqipëri.

Ky projektligj pasqyron risitë e direktivës së Bashkimit Europian PSD 2, që solli një lloj revolucioni në tregun e pagesave brenda Unionit.

Ligji i ri do të krijojë mundësinë që shërbimet e pagesave t’i ofrojnë jo vetëm bankat, por edhe institucione të tjera të licencuara.

Rritja e gamës së institucioneve që ofrojnë shërbime pagesash pritet të rrisë konkurrencën dhe të ulë kostot për përdoruesit.

Institucionet e pagesave do të kenë mundësi të ofrojnë dy shërbime të reja, informimin mbi llogaritë bankare dhe shërbimin e inicimit të pagesave.

Shërbimi i informacionit mbi llogaritë do të mundësojnë bashkimin dhe qendërzimin në një platformë të vetme të informacionit për të gjitha llogaritë që përdoruesi mund të ketë në banka të ndryshme.

Ndërkohë, përmes shërbimit të inicimit të pagesave do të mundësohet kryerja e pagesave nga llogaria bankare, pa qenë nevoja që klienti ta marrë domosdoshmërish shërbimin nga banka ku ka llogarinë, shkruan scan.

Krijimi i hapësirave për aktorët e rinj në tregun e pagesave pritet të rrisë konkurrencën, por edhe të nxisë edhe inovacionin.

Në BE shoqëritë që kanë shfrytëzuar avantazhet e PSD2 janë kryesisht fintech, kompani pagesash që ofrojnë shërbime mbështetur në zgjidhjet e përparuara teknologjike. Risi tjetër r projektligjit është edhe koncepti i agjentit bankar.

Aktualisht, bankat në Republikën e Shqipërisë mund të veprojnë me degë dhe agjenci.

Ligji i ri do t’iu japë mundësinë që ato të mund të operojnë edhe nëpërmjet agjentëve, për të zgjeruar rrjetin e tyre dhe aksesin e publikut në shërbimet financiare.