Në lidhje me protestën te Teatri Kombëtar, ka ardhur një lëvizje tjetër e presidentit Meta.
Zyra për shtyp e presidentit bën me dije se “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të shkojë sot në ora 13:00 në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar”.
Më herët, teksa ndodhnin përplasjet mes artistëve që janë në mbrojtje të TK dhe policisë, Meta reagoi me një apel të fortë, si më poshtë:
Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare.
As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90! Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!