MENU
klinika

Sistemi i shumëpërfolur i mbrojtjes

Turqi/ Javën tjetër dërgesat e para të sistemit rus

05.07.2019 - 15:24

Dërgesa e parë e sistemit raketor rus pritet të arrijë në Turqi, gjatë javës së ardhshme, raporton Reuters duke cituar televizionin privat turk, Haberturk.

Uashingtoni e ka paralajmëruar Turqinë, se do të përballet me sanksione, nëse e instalon sistemin rus.

Ankaraja, mund të përjashtohet edhe nga projekti i furnizimit me aeroplanët amerikan F-35, nëse e përmbush kontratën me rusët.

SHBA-ja thotë se sistemi rus, përbën rrezik për aeroplanët e saj ushtarak.

Media turk,e gjithashtu raportoi, se një ekip i teknikëve rus, do të mbikqyrë instalimin e sistemit.

Edhe aleatët tjerë të NATO-s, kanë shprehur shqetësime lidhur me këtë ndërmarrje të Turqisë.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Turqisë një afat prej 31 korrikut për të hequr dorë nga blerja e sistemit S-400, ose do të përballet me sanksione dhe largim nga programi F-35.

“Pavarësisht sanksioneve që mund të pasojnë, pavarësisht mesazheve nga Amerika, ne e kemi blerë sistemin S-400”, tha, më 24 qershor, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, për gazetarët në Ankara.

Në muajin maj, Ndihmës-sekretarja e mbrojtjes, Kathryn Wheelbarger, tha se blerja e sistemit të raketave S-400 nga ana e Turqisë, do të kishte një efekt “shkatërrues” për raportet e saj me aleatët tjerë të NATO-s, si dhe pjesëmarrjen e saj në programin e furnizimit me aeroplanë luftarakë të SHBA-së, F-35.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Ankarasë janë përkeqësuar mbi çështje të shumta, duke përfshirë marrëveshjen S-400 dhe mbështetjen e SHBA për një milici kurde siriane të konsideruar si terroriste nga Turqia.

Sanksionet mund të shkaktojnë dëme në një kohë kur ekonomia e Turqisë po lufton tashmë.

Monedha e saj humbi një të tretën e vlerës së saj vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të sanksioneve të përkohshme të SHBA mbi ndalimin e një pastori amerikan.

Erdogan tha javën e kaluar se do të përdorte marrëdhënien e tij “të mirë” me homologun e tij amerikan Donald Trump për të folur për krizën kur takohen në samitin e G20 në Osaka të Japonisë këtë javë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Problemet e brendshme të aleancës

Armiku më i madh i NATO-s është vetja…