Bisedimet midis opozitës venezueliane dhe qeverisë për të zgjidhur krizën politike të vendit do të rifillojnë këtë javë në Barbados.
Ministria e jashtme norvegjeze, e cila ka vepruar si ndërmjetës, tha se të dyja palët do të takohen “për të kërkuar një zgjidhje të negociuar dhe kushtetuese”.
Të dyja palët kanë qenë të angazhuara në një luftë të hidhur pushteti që nga janari.
Bisedimet paraprake të mbajtura në maj në Oslo përfunduan pa marrëveshje.
Deri më tani, nuk janë zbuluar detaje rreth bisedimeve. As data e saktë dhe as kush do të marrë pjesë nuk është shpallur.
Juan Guaidó, kreu i Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, paraqiti qëllimin e opozitës në Twitter. Deklarata thoshte se qëllimi ishte të “negocionte një rrugëdalje nga diktatura”.
Guaido dhe Presidenti Maduro kanë qenë në konflikt që nga janari, kur Guaido thirri kushtetutën dhe e deklaroi veten president të përkohshëm, duke argumentuar se zgjedhjet që kthyen Maduron në pushtet për një mandat të dytë në vitin 2018, nuk ishin të lira dhe të drejta.
Që atëherë, më shumë se 50 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e kombeve në Amerikën Latine, e kanë njohur Guaidon si udhëheqës legjitim të Venezuelës.
Por ushtria e Venezuelës, një forcë e fuqishme në vend, dhe aleatë me ndikim si Kina dhe Rusia mbështesin Maduron.
Ndërkohë, kriza ekonomike është përkeqësuar dhe mungesat e ushqimit dhe ilaçeve janë rritur akoma më shumë. Shifrat e Kombeve të Bashkuara sugjerojnë se katër milionë njerëz kanë ikur nga vendi që nga viti 2015.