“Mbi të gjitha, dëshiroj të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri”… na rrëfen kontesha Apponyi, mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë. “Paris-Midi” e ditë së martë, më 26 prill 1938, ka botuar në faqen kryesore, intervistën ekskluzive të korrespondetit të saj me mbretëreshën e ardhshme të Shqipërisë, intervistë që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e përcjell për publikun shqiptar:
Tiranë, 26 prill
Në shoqërinë e gazetarëve hungarezë, të vetmit që ishin lejuar ta vizitonin atë, më priti kontesha Apponyi, e cila, nesër, do të jetë mbretëresha e shqiptarëve. Z. Libohova, Ministër i Punëve të Jashtme, mori pjesë në këtë takim.
Jashtë, para një turme fëmijësh lozonjarë, qindra ushtarë po bënin ushtrime, duke përgatitur kështu paradën e madhe ushtarake që do t’i paraprijë ceremonisë së martesës.
Përpara vilës simpatike ku banon kontesha, bënin roje ushtarë të tjerë. Mbretëresha e ardhshme na priti në një sallon të ndriçuar nga rrezet e diellit, me muret ngjyrë bezhë, ku kolltuqet e mbuluara nga një pëlhurë e errët blu, ishin të stilit puro anglez.
Me një qasje të lehtë, flokët platin, e qeshur dhe e freskët, pavarësisht lodhjes dhe tensionit të ditëve të fundit – përgatitjet për ceremoninë e dasmës, provat, vizitat, leximi i një sasie të madhe korrieri – kontesha, shfaqet:
“ – Unë jam e lumtur për simpatinë që më kanë shfaqur; populli shqiptar, me të vërtetë, më bën të ndihem mirë; por ajo që më pëlqen më së shumti, është të shoh sesa i ngjan popullit hungarez. E njoh historinë e tij, shumë mirë…
Puna ime e re, si mbretëreshë? Nuk më ngjall aspak frikë, madje as të gjitha detyrimet që ajo përfshin dhe për të cilat, tani jam e përgatitur mirë: dua të punoj për lumturinë e popullit që më mirëpriti me kaq dashuri.
Por, veprimtaria e një mbretëreshë duhet të jetë veçanërisht femërore: më së shumti, dua të kujdesem për gratë dhe fëmijët e vendit tim të ri; me pak fjalë, për popullin shqiptar, dua të jem ashtu siç ishte mbretëresha Elizabetë, për popullin hungarez.” – Aigner