MENU
klinika

Ngec kundër Leicester

Chelsea zhgënjen edhe ndeshjen e dytë në ‘Premier League’

18.08.2019 - 19:49

Chelsea ka zhgënjyer edhe në javën e dytë të ‘Premier League’ pasi është ndalur në shtëpi nga Leicester.

Chelsea i ka shkuar pranë fitores së parë në ‘premier league’ në javën e dytë, por edhe këtë herë blutë e drejtuar nga Frank Lamprad nuk kanë arritur të marrin tre pikët në kampionat.

Pas disfatës turpëruese 4-0 kundër Manchester United këtë herë londinezët kanë ngecur në shtëpi me rezultatin 1-1 kundër Leicester.

Në ‘Stamford Bridge’ Chelsea e nisi ndeshjen vrullshëm duke rrezikuar portën e Leicester që në minutat e para. Pas disa këmbënguljeve dhe një gabimi të miqve, 20-vjeçari Mount arriti të zhbllokonte shifrat në minutën e 7.

Pas këtij moment dhe deri në fundin e pjesës së parë loja ishte e barabartë dhe 45 minutat u mbyllën në favorin e londinezëve.

Në fraksionin e dytë ‘dhelprat’ u futën me mentalitet tjetër në fushë dhe në minutën e 67 barazuan shifrat me Ndidi, i cili me kokë la të shtangur portierin Kepa.

Chelsea u përpoq deri në fund për të realizuar golin trepikësh, por pavarësisht tentativave nuk arriti të kënaqte tifozët që kishinj mbushur ‘Stamford Bridge’.