Plot 488 artistë japonezë të filmave të animuar nënshkruan një peticion në vitin 1994, kur “Lion King” (“Mbreti Luan”) i Disneyt, një nga filmat e tyre më të suksesshëm, u hodh në treg në të gjithë botën.
Arsyeja ishte për ngjashmërinë e stërmadhe që “Simba” i filmit amerikan kishte me “Kimban” japonez, një përrallë që fillimisht u krijua që në vitet ’50, në libra me figura, e që në vitet ’60 u përshtat si serial nga prodhuesit japonezë, e madje u transmetua edhe në SHBA, Kanada e vende të tjera perëndimore, mbi 50 vjet më parë.
Artistët e Disneyt thanë se për Kimban dëgjuan vetëm pasi prodhimi i filmit të tyre kishte përfunduar, dhe se më përpara nuk e dinin çfarë ishte. Por kjo mbetet e vështirë për t’u besuar, pasi ngjashmëritë jo vetëm që janë shumë të mëdha, por artisti i “Lion King”-ut ka jetuar në Japoni në vitet ’80, kur Tezuka, krijuesi i “Kimbas”, njihej si “Disney” i Japonisë, dhe seriali është ritransmetuar e ripunuar në ato vite.
Siç shihet nga fotot më poshtë, ngjashmëritë janë vërtet shumë të mëdha për t’u shpërfillur. Jo vetëm te vizatimet, personazhet, por edhe te zhvillimi i ngjarjeve. Ashtu si Simba, edhe Kimba shihte të atin t’i shfaqej në qiell dhe mes reve. Personazhet e tjera, që nga Skari i lig, hienat mendjelehta, majmuni i mençur, papagalli ndihmës, e deri te skena në humnerë, kanë ngjashmëri me versionet japoneze të viteve para se të prodhohej filmi amerikan.
“Lion King” është një nga ikonat e Walt Disneyt dhe ka vendosur rekorde për fitime, si herën e parë, në vitin 1994, ashtu edhe tani me versionin e vitit 2019. Vetëm versioni i fundit i kaloi 1 miliardë dollarë në shitje biletash nga kinematë botërore, ndërsa versioni i parë mblodhi 968 milionë vetëm nga kinematë.
Artistët japonezë kanë kërkuar që Disney të paktën ta pranojë frymëzimin nga versioni i tyre, pasi “Tezuka”, krijuesi i Kimbas, konsiderohet ikonë dhe pasuri kombëtare.