Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Turqia kishte patur shumë fitore ushtarake në gusht gjatë historisë, dhe se një fitore e re do të shtohej këtë muaj.
Erdogan e tha këtë në video-mesazhin e tij për turqit për festën e Bajramit. Ai shtoi se shembulli i fundit i fitoreve ushtarake të gushtit ishte Operacioni Mburoja Eufrat në Siri që u nis më 24 gusht 2016 për të larguar Shtetin Islamik (ISIS) nga kufiri jugor dhe ndalimin e përparimit të Njësive të Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG) në veri të Sirisë.
Operacioni përfundoi në vitin 2017 pasi forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) të udhëhequra nga Turqia morën kontrollin në qytetet kryesore të Jarabulus, Al Rai dhe al Bab.
“Me vullnetin e Zotit, ne do t’i shtojmë një fitore të re zinxhirit të fitoreve të historisë sonë këtë gusht,” tha Erdogan.
“Ne do të vazhdojmë të zhgënjejmë ata që përdorin metoda të ndryshme, nga sulmet terroriste deri tek grackat ekonomike, për të penguar Turqinë” tha Erdogan.
Erdogan njoftoi javën e kaluar se Turqia do të niste një operacion ushtarak në veri të Sirisë kundër YPG, të cilën e sheh si një zgjatje të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Erdogan ka thënë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ishin vënë në dijeni për operacionin e planifikuar, i cili do të ishte hyrja e tretë turke në Siri që nga fillimi i luftës civile në 2011.
Por Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të mërkurën njoftuan se kishin rënë dakord të krijonin një qendër të përbashkët operacionesh në Turqi për planet e mëtejshme për një zonë të sigurt në veri të Sirisë që do të shërbente si një “korridor paqeje” për kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë në atdheun e tyre .
Sipas disa ekspertëve, Turqia-SHBA marrëveshja u vendos përkohësisht për të ndaluar planet e Turqisë për një inkursion ushtarak në veri të Sirisë.