MENU

Ç'do ndodhë?

Këto janë hapat deri te shpërndarja e Kuvendit

20.08.2019 - 12:17

Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet më 22 gusht në rast se 80 deputetë votojnë pro për t’i dhënë fund kësaj legjislature.

Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se nëse votimi për shpërndarjen e Kuvendit dështon atëherë duhet të thirret seancë e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë.

Që nga refuzimi i koalicionit qeverisës PAN ndaj kërkesës së presidentit të vendit Hashim Thaçit për ta propozuar mandatarin e ri për kryeministër të Kosovës të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar shpërndarjen sa më të shpejtë të Kuvendit dhe, siç dihet, në bazë të këtij disponimi politik është caktuar që më 22 gusht të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës do të jetë shpërndarja e Kuvendit.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpërndarjen e Kuvendit duhet ta votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve. Por cilat janë hapat deri te shpërbërja e kuvendit?

Për të nxitur seancën e jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit janë nevojitur 40 nënshkrime të deputetëve. Që kjo seancë të jetë e suksesshme duhet së paku 80 deputetë të jenë në sallë dhe të votojnë pro.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën ka pohuar se në rast të dështimit të votimit për shpërbërjen e Kuvendit duhet të thirret seancë e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë. “Në momentin që në rend të ditës shqyrtohet pika për shpërndarjen e Kuvendit, atëherë nga kryeparlamentari konstatohet kuorumi, i cili duhet të jetë 80 persona prezentë për të pasur mundësi që të vihet në rend të ditës ajo pikë. Kuvendi shpërndahet me së paku 80 vota. Nëse nuk janë 80 deputetë prezentë shtyhet pika e rendit të ditës për shpërndarje të Kuvendit. Kjo pikë në votim mund të dalë vetëm një herë dhe nëse dështon, atëherë shtyhet mbledhja dhe bëhet kërkesa tjetër për seancë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka theksuar për mediat në Kosovë se në rast të dështimit të votimit do të krijohej një situatë e re, duke qenë se Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës nuk parasheh edhe një votim të dytë për shpërbërjen e Kuvendit.

Murati potencon se do të duhej edhe interpretim nga Gjykata Kushtetuese. “Nëse do të hidhej në votim dhe nuk do t’i merrte 80 vota pas votimit, do të krijohej një situatë e re, meqenëse nuk ka ndonjë rregullore e cila do ta mundësonte një votim të dytë.

Por me siguri duhet të kërkohet një interpretim i Gjykatës Kushtetuese se si do të duhej të procedohej më tutje. Për shembull te mocioni i mosbesimit, nëse nuk kalon, atëherë pas tre muajsh mund të bëhet tjetri, ndërsa në këtë rast nuk ka specifika në Rregullore të Punës dhe kësisoj do të paraqiste një situatë të re”, ka deklaruar Murati.