MENU
klinika

Pesë emra

Kush mund ta ndalojë Salvinin?

10.08.2019 - 10:34

Matteo Salvini bëhet kryeministër, bëhet një president pro-Putin i zgjedhur, qeveris me një parti edhe më tej në të djathtë dhe përleshet me Brukselin deri në pikën e largimit të Italisë nga euro.

Ky është skenari i makthit për rrjedhën politike të Evropës, pas vendimit të Salvinit për të shkaktuar rënien e qeverisë aktuale italiane. Dhe sigurisht që nuk mund të përjashtohet si mundësi. Partia e Lidhjes së Salvini është shumë lart në sondazhet e opinioneve dhe kundërshtarët e tij janë në disavantazh.

Por ndonjëherë gjërat nuk rezultojnë siç parashikohen. Jo shumë kohë më parë, Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Donald Trump, tha se qeveria aktuale e populistëve përfaqësonte të ardhmen e politikës evropiane. Tani duket sikur së shpejti do të jetë thjesht pjesë e së kaluarës.

Pra, kush mund ta ndalë Salvinin? Këtu janë pesë emra të mundshëm (të gjithë njerëz popullorë në politikën italiane).

1.Presidenti italian Sergio Mattarella

Presidenti i republikës është ai që duhet të vendosë nëse do të thërrasë zgjedhje parlamentare. Zyrtarët thonë se ai është i vetëdijshëm se çdo përpjekje për të thirrur zgjedhjet dhe për të vendosur një qeveri teknokratike mund të shkaktojë një reagim popullor, duke e bërë Salvinin edhe më të fortë. Disa analistë thonë se strategjia e juristit të heshtur sicilian është që të kalojë shpejt në zgjedhje, siç dëshiron Salvini, por të gjejë një mënyrë për tu siguruar që udhëheqësi i Lidhjes nuk mund të shmangë përgjegjësinë për buxhetin tjetër, që do të miratohet në fillim të tetorit. Me ngadalësimin e ekonomisë dhe rritjen e borxhit publik, vendime të dhimbshme po vijnë.

2.Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte

Profesori i drejtësisë që u bë kryeministër pa ndonjë përvojë të mëparshme politike tani gëzon vlerësimin e dytë më të lartë të miratimit në vend, pas Mattarellas. Conte ka formuar një aleancë të fortë me Mattarellan dhe muajt e fundit ai është duke formuar profilin e tij si një lloj i moderuari anti-Salvini. Zyrtarisht, Conte është i pavarur politikisht. Ndoshta jo rastësisht ka zëra në Romë se Conte dëshiron të emërohet si komisioner evropian. Një zyrtar italian tha se Salvini mund të fshihet pas kësaj, në një përpjekje për të hequr qafe rivalin e tij të rrezikshëm.

3.Politikani italian, anëtari themelues i Partisë Demokratike (PD) Nicola Zingaretti

Udhëheqësi i Partisë Demokratike të qendrës së majtë (PD) në fillim të këtij viti nuk është në një pozitë të fortë. Ish-drejtuesi Matteo Renzi ende ka ndikim të fortë mbi anëtarët e parlamentit të partisë dhe ai ka axhendën e tij. Renzi, për shembull, nuk dëshiron asnjë aleancë me lëvizjen Pesë Yjet, ndërsa Zingaretti dhe figura të tjera të shquara të partisë janë më të prirura ta marrin parasysh një të tillë. Zingaretti, ka arsye për të favorizuar një zgjedhje të parakohshme. Kjo do ti jepte atij mundësi të pastrojë grupet parlamentare të besnikëve të Renzi dhe të krijojë aleanca me partitë e tjera, ndoshta Pesë Yjet ose grupe të tjera që mund të dalin në muajt e ardhshëm.

4.Politikani i qendrës së majtë dhe ish-ministri i zhvillimit ekonomik, Carlo Calenda

Ish-ministri i zhvillimit ekonomik u zgjodh në maj në Parlamentin Evropian në listën e PD-së së qendrës së majtë. Por ai tha të premten se shpreson të formojë një aleancë që do të përfshijë gjithashtu forca progresive, liberale dhe forca të tjera pro-BE. Ai tha se ai beson që edhe Forza Italia e Silvio Berluskoni “mund të jetë një pjesë e këtij projekti”. “Një listë e vetme e forcave politike liberale pro-BE është rruga përpara … përparësia është të luftojmë Salvini, i cili paraqet një rrezik serioz për demokracinë tonë dhe ka të ngjarë të na nxjerrë jashtë BE”, deklaroi Calenda. Për të arritur qëllimin e tij Calenda madje është i gatshëm të punojë përkrah ish-kryeministrit dhe ish-drejtuesit të PD-së, Renzi, edhe pse ai tha që të dy nuk “po flasin” për momentin.

5.Anëtari i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S) Alessandro Di Battista

41-vjeçari është i vetmi person në politikën italiane që vesh hoodie më shumë se Salvini dhe përdor gjuhë të ngjashme. Sipas raporteve të mediave italiane, Di Battista ka të ngjarë të jetë një nga rivalët kryesorë të Salvini në fushatën zgjedhore. Synimet kryesore të tij kohët e fundit kanë qenë OJQ-të, gazetarët dhe politikanët. Antagonizmi i tij ndaj Francës nuk është tipari i vetëm që ai ka të përbashkët me Salvinin. Ai gjithashtu ka një “magjepsje” për Rusinë. Para se Salvini të shkaktonte krizën e qeverisë të enjten në mbrëmje, Di Battista shkroi në faqen e tij në Facebook se ministri i brendshëm “është i pamëshirshëm dhe i dashuruar me pushtetin dhe privilegjin, i presionuar nga një grup mashtruesish që kanë infektuar politikën italiane”.

Nga Jacopo Barigazzi dhe Silvia Scorilli Borrelli, publikuar në Politico.eu

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Premtimet e pambajtura të Salvinit

Trumpi i Italisë, qen që leh, por nuk kafshon

Të përbashkëtat e politikanëve

Salvini, Trumpi europian?