MENU
klinika

Gola, dhe përmbysje nga të dy krahët

Partizani fiton Superkupën e Shqipërisë

18.08.2019 - 21:49

Partizani është fituesi i Superkupës së Shqipërisë.

Skuadra kryeqytetase ka bërë të vetin për herë të dytë në historinë e saj këtë trofe pasi në ‘Elbasan Arena’ ka mposhtur me rezultatin 4-2 Kukësin, ekipin kampion të Kupës së Republikës.

Kjo sfidë pati përmbysje nga të dy krahët dhe që do të ishte spektakolare kjo u pa që në minutën e 6 kur Mala zhbllokoi shifrat nga kënd shumë i prirët. Nga ky moment të kuqtë hoqën këmbën nga gazi dhe frerët e lojës i mori Kukësi, që pas disa tentativave arriti të barazonte më Mustën që fillimisht bëri ç’deshi në zonën e kuqe. Në pjesën e dytë do të ishte sërish protagonist Musta, i cili këtë herë me një supergol nga goditja e dënimit kaloi në epërsi për herë të parë në këtë sfidë Kukësin.

Pas këtij moment verilindorët patën disa raste të arta për të mbyllur takimin, por ligji i pashkruar i futbollit kush nuk shënon e pëson u zbatua edhe këtë herë.

Në minutën e 88 sulmuesi Braun i future si zëvendësues barazoi shifrat në 2-2 pas tentativës së dytë radhazi si pasojë e një krosi të Trashit. Kaq u desh që Superkupa të vendosej në shtesë.

Me fillimin e kohës ekstra Partizani ishte me moral më të lartë dhe nuk kaloi shumë para se Braun të përmbyste gjithçka. Sërish sulmuesi edhe në këtë rast u shërbye nga Trashi. Kukësi shtanget dhe duket i pafuqishëm, teksa në minutën e 99 Braun do të vuloste shifrat me golin e tretë personal dhe të katërtin për Partizanin.

Në këtë mënyrë të kuqtë në 2019 fitojnë një tjetër Superkupë pas asaj në vitin 2004.

Një trofe i cili përveçse shtohet në palmaresin e Partizanit tregon edhe se kryeqytetasit mbeten pretendentët kryesore për kampionatin që nis javën e ardhshme.