Rusia dhe Kina kanë thënë se një test i ri i raketave amerikane ka rritur tensionet ushtarake dhe rreziqet për të shkaktuar një garë armësh, disa javë pasi Uashingtoni i dha fund një pakti të armëve të epokës së ftohtë me Moskën.
SHBA dhe Rusia ndërprenë traktatin e forcave bërthamore (INF) këtë muaj pasi akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.
“SHBA-të padyshim kanë ndërmarrë një rrugë drejt përshkallëzimit të tensioneve ushtarake. Ne nuk do të reagojmë ndaj provokimeve”, tha për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov. “Ne nuk do ta lejojmë veten të futemi në një garë të kushtueshme të armëve.”
Ryabkov tha që testi tregoi se Uashingtoni kishte punuar për raketa të tilla shumë kohë para tërheqjes së saj zyrtare nga marrëveshja.
Në Pekin, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Geng Shuang, tha: “Kjo masë nga SHBA do të shkaktojë një raund të ri të një gare armësh, duke çuar në një përshkallëzim të konfrontimit ushtarak.”
Ai tha se testi do të ketë një “ndikim serioz negativ” në situatën e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale. SHBA duhet të “heqë dorë nga mentaliteti i saj i luftës së ftohtë” dhe “të bëjë më shumë gjëra që janë të favorshme për paqen dhe qetësinë ndërkombëtare dhe rajonale”, shtoi Geng.
Raketa u lëshua nga ishulli San Nicolas i kontrolluar nga marinët amerikanë në brigjet e Kalifornisë.
Duke folur në Francë të hënën, Vladimir Putin tha që Rusia do të vendoste raketa në përgjigje të lëvizjeve të ngjashme nga SHBA. “Nëse Shtetet e Bashkuara prodhojnë sisteme të tilla, ne gjithashtu do ta bëjmë atë,” tha presidenti rus në një konferencë për shtyp para një takimi me liderin francez, Emmanuel Macron.
Moska dhe Uashingtoni kanë kritikuar për një kohë të gjatë traktatin, por Putin tha se ishte SHBA që kishte marrë vendimin për t’u tërhequr “në mënyrë të njëanshme”.
Raketa e testuar të Dielën ishte një version i raketës së lundrimit Tomahawk me aftësi bërthamore. Versioni fillestar i Tomahawk doli jashtë shërbimit pasi traktati INF u nënshkrua.