Kjo që ndodhi në Itali nuk ishte aspak e papritur. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, njoftoi dorëheqjen e tij në 20 gusht, duke i dhënë fund qeverisë së tij, një koalicion midis dy partive populiste: Lëvizja Pesë Yje(M5S) dhe Lidhjes.
Rënia e qeverisë kishte të ngjarë qëkur Matteo Salvini, udhëheqësi i Lidhjes, nisi deklaratat e tij kundër kolaicionit në fillim të këtij muaji. Në fakt, shumë e kishin parë si të pashmangshme që kur u krijua koalicioni 14 muaj më parë.
Largimi i Conte e fut Italinë në një krizë nga e cila nuk ka rrugëdalje lehtësisht të parashikueshme.
Kjo mund të bëjë që Salvini të arrijë qëllimin e tij për t’u bërë kryeministër. Tani gjithçka do të jetë në dorën e presidentit, Sergio Mattarella, për të vendosur nëse mund të formohet një shumicë e re parlamentare. Nëse jo, ai do të duhet të mbahen zgjedhje.
Duke iu drejtuar Senatit, dhoma e sipërme e parlamentit italian, Conte tha se ai po jepte dorëheqjen vetëm për shkak të mungesës së mbështetjes së Salvinit. Ai e akuzoi atë për “ndjekje vetëm të interesave personale”. Dhe, me një qortim të ashpër, ai iu drejtua zëvendësit të tij, i ulur pranë tij dhe tha: “Ne nuk kemi nevojë për njerëz dhe burra me kompetenca të plota, por respekt për institucionet dhe përgjegjshmëri.”
Të dy, Conte dhe zëvendësi i tij përdorën fjalimet e tyre për të foluar për betejën e ardhshme për të formuar një qeveri të re, në të cilën marrëdhëniet e Italisë me Bashkimin Evropian do të jenë çështje kryesore.
Conte tha se, ndërsa federalizmi i verbër nuk ishte përgjigje për problemet e Evropës, as kthimi në nacionalizmin izolues të së kaluarës nuk ihste. Si përgjigje, Salvini tha “Ne jemi kombi më i bukur dhe potencialisht më i pasur në botë dhe unë nuk e duroj dot më faktin se çdo vendim duhet të varet nga nënshkrimi i një zyrtari evropian,” deklaroi ai.
Një skenar i mundshëm do të ishte që Pesë Yjet të bëhej aleate me Partinë Demokratike të qendrës së majtë (PD) për të formuar një qeveri të re. PD është thellësisht e përçarë kur bëhet fjalë për idenë e një aleance “Stop Salvini”, megjithëse drejtuesi i partisë, Nicola Zingaretti, gradualisht është bërë më pak armiqësor ndaj idesë.
Përballë rrezikut për të humbur pushtetin tërësisht, Salvini i ofroi lëvizjes Pesë Yje të qëndronte me koalicionin aktual. Ai premtoi të mbështesë reformën e tyre: një shkurtim në madhësinë e legjislaturës.
Por këto janë ujëra të ftohta për ‘Il capitano’, dhe po aq edhe për anijen me të cilën ai shpreson të udhëtojë.