MENU
klinika

New York Times

Trump e harroi ekonominë, duke u marrë me armiqtë

24.08.2019 - 09:53

Presidenti Trump po festonte për ekonominë, deri sa dolën lajmet  se Kina dhe Rezerva Federale kishin kundërshtuar kërkesat e tij të qarta.

“Pyetja ime e vetme është, kush është armiku ynë më i madh, Jay Powell apo Kryetari Xi?” postoi Trump në Twitter në mëngjes, duke iu referuar kryetarit të Rezervës Federale dhe udhëheqësit të Kinës.

Disa minuta më vonë, Trump  postoi përsëri “Kompanitë tona të mëdha amerikane janë urdhëruar që menjëherë të fillojnë të kërkojnë një alternativë për Kinën,” shkroi presidenti.

Postimet e Trump janë një burim i përsëritur i sikletit për popullin amerikan, të cilit ai i shërben.

Ngjarjet që shkaktuan periudhën e tij të fundit të ‘tërbimit’ filluan të premten në mëngjes kur Kina njoftoi tarifa të reja mbi 75 miliardë dollarë të mallrave amerikane, një përgjigje ndaj njoftimit të Trump në fillim të gushtit se ai do të vendosë tarifa për një gamë të gjerë të importeve kineze nga shtatori. Vendimi i Kinës për të përshkallëzuar luftën tregtare ishte një goditje për Trump, i cili ka insistuar se tarifat amerikane do t’i detyrojnë kinezët të bëjnë lëshime.

Pastaj, disa orë më vonë, Powell mbajti një fjalim në konferencën vjetore të Rezervës Federale në Wyoming, në të cilën ai tha se pasiguria në lidhje me tregtinë globale po ndikonte ekonominë, dhe ata nuk ishin plotësisht të sigurt se çfarë të bënin për të.

Trump ka arsye për ankthin ekonomik: Një numër në rritje i parashikuesve parashikojnë që periudha më e gjatë e rritjes ekonomike në historinë amerikane po shkon drejt fundit. Dhe një rënie do ta vështirësonte fitoren e Trump të një mandati të dytë.

Ankthi për tregtinë globale, dhe për qasjen shkatërruese të Trump ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, ka të ngjarë të shfaqet në diskutime midis drejtuesve të kombeve të G7 kur ata të mblidhen në Francë këtë fundjavë.

Trump ka premtuar se do të ishte e lehtë për të përmirësuar status quo-në: Ai do të vendosë tarifa, dhe Kina shpejt do të pranonte të bënte ndryshime, si hapja e tregjeve për mallrat amerikane, duke shkurtuar subvencionet e saj për prodhuesit kinezë dhe duke parandaluar vjedhjen e pronës intelektuale.

Në vend të kësaj, konflikti vazhdon të përshkallëzohet në kurriz të ekonomisë globale.

Komentet e Trump të premten duket se nuk kanë gjasa të sigurojnë bizneset. Toni i presidentit ishte armiqësor, ndërsa fjalët e tij dukeshin të shkëputura nga realiteti.

Përpjekjet e Trump për të detyruar kinezët të bëjnë çfarë ai do në tryezën e negociatave nuk kanë funksionuar. Kërcënimet dhe tarifat më të larta do t’i përkeqësojnë gjërat.

Nëse Trump dëshiron të ndihmojë ekonominë, ai duhet të ndalojë këtë armiqësi me Kinës, dhe të ndalojë postimet armiqësore në Twitter.