Pas lajmit se talenti 16-vjeçar Ansu Fati ka marrë nënshtetësinë spanjolle dhe do të grumbullohet me kombëtaren U-17 të Spanjës në botëror, vjen reagimi i trajnerit të Barcelonës, Ernesto Valverde. Ai është shprehur i shqetësuar për faktin se sulmuesi do të mungojë për një muaj, duke humbur kështu rreth 10 ndeshje.
“Unë nuk i jap asnjë këshillë, nëse lojtari dëshiron të shkojë në botëror është i lirë të luajë. Çdo njeri duhet t’i marrë vetë vendimet. Një mungesë e tillë do të na penalizojë shumë, por ne jemi Barcelona. Kemi edhe sulmues të tjerë, nuk është vetëm Ansu. Të shohim kush do të ketë mundësi ta zëvendësojë nëse do të largohet”, ka thënë Valverde.
Ansu Fati ka arritur të shënojë dy gola dhe një asist për katalanasit në La Liga duke rezultuar një lojtar kyç për blaugranasit këtë fillim sezoni.