MENU
klinika

Lufta kundër terrorizmit

Cakaj nga SHBA: Shqipëria angazhim maksimal, ja çfarë sfide kemi!

30.09.2019 - 09:46

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të organizuar nga Jordania, Franca dhe Zelanda e Re.

Kjo mbledhje kishte në fokus diskutime mbi përpjekjet ndërkombëtare për vënien në zbatim të Strategjisë Globale të OKB-së kundër Terrorizmit, si dhe shqyrtimin e arritjeve të deritanishme të nismave franceze dhe jordaneze në lidhje me shmangien e përdorimit të platformave të internetit për motive të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Në një status në Facebook, lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë mbledhje, Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh se pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme.

Kjo, sipas Cakaj, kërkon një bashkërendim më të gjerë përpjekjesh të kompanive teknologjike, shoqërisë civile dhe bashkësive fetare e qeverive të vendeve përkatëse.

Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”, përfundoi Cakaj.