MENU

Profil/ Leonid Brezhnev

Dikur një qytet rus mbante emrin e tij…

14.09.2019 - 14:49

Leonid Brezhnev, (19 dhjetor 1906, Kamenskoye, Ukrainë – 10 nëntor 1982, Moskë, Rusi), ishte burrë shteti dhe zyrtar i Partisë Komuniste, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik për 18 vjet.

Madje, Naberezhnye Chelny, qyteti i dytë më i madh në Tatarstan, u riemërua “Brezhnev” për nder të liderit Sovjetik në 1982. Emri origjinal u rivendos në 1988.

Brezhnev u bë anëtar i plotë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (CPSU) në 1931 dhe studioi në institutin metalurgjik në Kamenskoye (tani Dniprodzerzhynsk). Pas diplomimit (1935), ai punoi si inxhinier dhe drejtor i një shkolle teknike dhe gjithashtu mbajti një sërë postesh të partisë lokale; karriera e tij lulëzoi nën regjimin e Joseph Stalin, dhe nga viti 1939 ai ishte bërë sekretar i komitetit rajonal të partisë së Dnepropetrovsk (Dnipropetrovsk). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Brezhnev shërbeu si një komisar politik në Ushtrinë e Kuqe, duke përparuar në gradë, derisa ai u bë një gjenera (1943) dhe kreu i komisarëve politikë në frontin e Ukrainës.

Pas luftës ai përsëri mbajti poste si shef i disa komiteteve rajonale të partive në Ukrainë. Më 1950 u dërgua në Moldavi si sekretar i parë i Partisë Komuniste Moldaviane me detyrën e sovjetizmit të popullatës Rumune të këtij territori të pushtuar së fundmi. Në vitin 1952 ai u bë anëtar i Komitetit Qendror të CPSU dhe anëtar kandidat i Byrosë Politike.

Kur Stalini vdiq (Mars 1953), Brezhnev humbi postet e tij në Komitetin Qendror dhe në Byronë Politike dhe iu desh të pranonte pozicionin e nënkryetarit të departamentit politik të Ministrisë së Mbrojtjes me gradën toger gjeneral. Por në vitin 1954 Nikita Hrushovi, i cili kishte fituar pushtetin e plotë në Moskë, e bëri Brezhnev sekretarin e dytë të Partisë Komuniste Kazakistan (1954). Brezhnev së shpejti u gradua sekretar i parë i Partisë Komuniste Kazakistan (1955) dhe në 1956 u rizgjodh në postet e tij në Komitetin Qendror të CPSU dhe në Byronë Politike. Një vit më vonë, pasi ai kishte punuar me besnikëri kundër “grupit antiparti” që u përpoq të hiqte Hrushovin, Brezhnev u bë një anëtar i plotë i Byrosë Politike, dhe në vitin 1960 ai u bë kryetar i Presidiumit të Sovjetit Suprem, dmth kreu titullar i shtetit Sovjetik. Në korrik 1964 ai dha dorëheqjen nga ai post për t’u bërë ndihmësi i Hrushovit si sekretar i dytë i Komitetit Qendror, deri në atë kohë ai u konsiderua trashëgimtari i Hrushovit si kryetari i partisë.

Tre muaj më vonë, megjithatë, Brezhnev ndihmoi në udhëheqjen e koalicionit që detyroi Hrushovin nga pushteti, dhe, në ndarjen e posteve që pasuan, Brezhnev u bë sekretari i parë (pas 1966, sekretar i përgjithshëm) i CPSU (15 tetor 1964).

Pas një periudhe të shkurtër të “udhëheqjes kolektive” me Kryeministrin Aleksey Kosygin, Brezhnev  u duk qartë se ishte figura mbizotëruese.

Si kryetar i partisë, Brezhnev u përqëndrua në punët e jashtme dhe ushtarake. Brezhnev zhvilloi konceptin, i njohur në perëndim si Doktrina e Brezhnevit, i cili pohonte të drejtën e ndërhyrjes sovjetike në rastet kur “interesat thelbësore të përbashkëta të vendeve të tjera socialiste janë kërcënuar nga një prej tyre. ”Kjo doktrinë u përdor për të justifikuar pushtimin e Çekosllovakisë nga Sovjetikët dhe aleatët e tyre të Paktit të Varshavës në 1968.

Gjatë viteve 1970 Brezhnev u përpoq të normalizonte marrëdhëniet midis Gjermanisë Perëndimore dhe Paktit të Varshavës dhe të lehtësonte tensionet me Shtetet e Bashkuara.

Nën udhëheqjen e tij, Sovjetikët arritën barazi me Shtetet e Bashkuara në armët strategjike bërthamore dhe programi i tyre hapësinor kapërceu atë amerikan.

Por u lanë sektorët e tjerë të ekonomisë të privuar nga fondet. Bujqësia sovjetike, industria e mallrave të konsumit dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor ranë gjatë gjithë viteve 1970 dhe vitet ’80 si pasojë, duke rezultuar në rënie të standardeve së jetës.

Në 1979 Brezhnev arriti marrëveshje me Presidentin e SHBA Jimmy Carter për një traktat të ri dypalësh kufizues strategjik të armëve (SALT II), por Senati amerikan nuk pranoi të ratifikojë traktatin, dhe shumë shpejt pas kësaj Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin (Dhjetor 1979).

Brezhnev mbajti fuqinë e tij deri në fund, megjithë shëndetin e tij të dobët dhe dobësinë në rritje. Ai i dha Bashkimit Sovjetik një bazë të frikshme ushtarake-industriale të aftë për të furnizuar një numër të madh të armëve më moderne, por duke bërë kështu ai varfëroi pjesën tjetër të ekonomisë Sovjetike.

Pas vdekjes së tij, ai u kritikua për një rënie graduale të standardeve të jetës, përhapjen e korrupsionit dhe kronizmit brenda burokracisë sovjetike në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve ’80.