MENU
klinika

Drejtimi shpirtëror i kombit

“Nga t’ia mbajë shqiptari?”

20.09.2019 - 11:12

Nga fakti që në Shqipëri s’ka një grumbull mentarësh ku pjestarët të kenë të gjithë, pamje të përbashkëta, një kuptim të përbashkët përballë problemeve të mëdha të kombit tonë, mbi të Ardhmen dhe mbi qëllimet për t’u ndjekur, s’ka, pra, ide të caktuara rreth të cilave të jenë mbledhur turma njerëzish, s’ka domethëne ide udhëheqëse që të jenë si parime drejtonjëse, nga ky fakt rrjedh anarkia e opinioneve që na turbullon jetën kombtare dhe e bën njerinë të mos dijë nga t’ia mbajë. Ç’po bëjnë mentarët tanë e pse nuk i përvishen punës për t’i bërë ballë kësaj gjendjeje themelisht shqetësonjëse?

2.) Në njëmendësi (realitet) drejtonjësit e vërtetë të një Kombi janë jo administratorët dhe burokratët anonimë, por mendimet dhe besimet (croyances = credenze) që ka ai komb, domethënë janë mentarët që prodhojnë: poetët, oratorët, shkrimtarët, etj. Këta kanë jo autoritetin e xhandarit, jo fuqinë brutale, por ndikimin (influencën) e vazhdueshëm pjellor mbi shpirtërat. Mentarët tanë po i shmangen këtij misioni të lartë të drejtimit. Pse vallë?

3.) Para se t’i përgjigjemi pyetjes, duhet të caktojmë se kujt i themi mentar. Ky është një njeri që punon me idetë dhe mbi idetë (shkencore, letrare, filozofike, etj.), të cilat i grumbullon në arsyetime duke i lidhur me njëra-tjetrën dhe nxjerr prej tyre ide të reja, dhe prozonon, më së fundi, në fushat e veprimtarisë së tij, shikime të përgjithshme dhe hipoteza.

 

 

 

 

 

4.)Por ka edhe një kategori tjetër mentarësh. Këta kërkojnë, n’emër të funksionit të tyre, të sundojnë tërësinë e ndërgjegjes mentare të vendit të tyre ose të botës: artistët, siç është një Platon, një Goethe, një Mazzini, një, Beethoven, një Shën Pal, një Hegel, etj. Për pasojë, kur mentarët merren me politikë dhe shfaqin mendime mbi nevojat më praktike dhe urgjente të shoqërisë, është e natyrshme që arsyet e tyre t’i nxjerrin nga tërësia e mendimeve shkencore dhe filozofike të kohës së tyre. Në këtë kuptim të dytë, mentari ka një vegël dhe një armë. Vegla është mendimi i tij dhe metoda e punës së tij, që i japin mundësi të ndriçojë ndërgjegjen e njeriut. Arma e tij është fuqia që ka për të mbrojtur idenë e tij mbi jetën kundra forcave dhe mbëhive (necessiteteve) të saj. Domethënë se mentari është një fuqi dhe faktori i domosdoshëm i mbarëvajtjes së një shoqërie të shëndoshë dhe krijonjëse. Kur mentarët hiqen nga mesi, shoqëria mbetet si tufë, pa bari.

5.)Për të vënë më n’evidencë rolin e kësaj elite të vogël, do të kallëzoj një fjalë të Saint Simonit, i cili duke folur për elitën franceze ka thënë: “Po të qe se Franca humbiste papritmas të pesëdhjetë dijetarët e parë të saj, të pesëdhjetë artistët e parë të saj, të pesëdhjetë industrialistët e parë të saj, të pesëdhjetë lëvruesit e parë të tokës së saj, kombi do të bëhej një trup pa shpirt, do t’i ishte prerë koka. Po të qe për kundra se humbiste të gjithë personelin zyrtar të saj, nga kjo gjë nuk do të dilte për vendin veçse një dëm i vogël”.
E prandaj në regjimin e Zogut klasat drejtonjëse i urrenin mentarët që nuk ishin robëruar prej tyre dhe i luftonin dhe i mënjanonin në dëm të madh të shoqërisë dhe të mirëfunksionimit të saj. Sot nuk i mënjanon kurrkush dhe kanë mundësinë të punojnë e të prodhojnë: Numri i tyre është padyshim shumë i vogël; nuk janë më shumë se njëzet, po të marrim sidomos parasysh prodhimin mendor të vendit.

6.) Tani të vijmë në çështjen pse mentarët tanë po i shmangen detyrës së tyre që është drejtimi shpirtëror i kombit. Midis arsyeve që mund të na shfaqen, më e forta duket të jetë ajo e “rrethit”. Rrethi ynë shoqëror, pjellë ndikimeve telurike (të tokës) dhe politike gjatë shekujve të errët te robërisë është tepër apatik. Apati do të thotë paaftësi për t’u impresionuar, për t’u emocionuar./Konica.al

 

Nebil Çika, botuar më 1943