MENU
klinika

Nga Foreign Policy

Frika e Evropës nga emigrantët, shpëtimi i Sirisë

04.09.2019 - 15:35

Lufta në Siri vazhdon, dhe rreziku për njerëzit që jetojnë aty po ashtu.

Megjithatë, në samitin e G-7 të muajit të kaluar në Francë, çështja e Idlibit nuk u diskutua aspak.

Perëndimi, duket se shqetësohet më shumë nga problemi i refugjatëve sesa nga vuajtjet e fëmijëve. Për të kapërcyer këtë apati, sirianët do të duhet të përdorin kërcënimin për të ikur drejt Evropës.

Ka 3 milion civilë të bllokuar në Idlib, kryesisht gra dhe fëmijë. Kjo është pjesa më e rrezikuar e popullsisë së zhvendosur në Siri, pa mjete dhe as destinacion për t’u larguar. Turqia tashmë është shtëpia e 3.6 milion refugjatëve. Dhe Evropa tani është plotësisht armiqësore.

Mundësia e mbetur e Idlibit është t’i nënshtrohet regjimit, një opsion i favorizuar në mënyrë të heshtur nga Evropa. Pjesa më e madhe e Evropës mezi pret që konflikti të përfundojë në mënyrë që njerëzit e Sirisë të riatdhesohen.

Por, kurdoherë që refugjatët detyrohen të kthehen në një shtet si Siria, ata dërgohen në vende të pasigurta me pronat e tyre të konfiskuara, duke u përballur me tortura ose vdekje të mundshme.

Si vendi që do të preket më së shumti, Turqia nuk dëshiron ta shohë Idlibin të sulmohet. Shumë e dobët për t’u përballur me Rusinë, tani ajo po kërcënon të veprojë kundër kurdëve në lindje të Eufratit, duke shpërngulur një popullsi tjetër të rrezikuar.

Rënia e Idlibit ka potencialin ta vendosë Turqinë në kundërshtim me qeverinë e SHBA dhe triumfi i Iranit në Siri mund të shkaktojë një luftë më të gjerë duke përfshirë Izraelin dhe Arabinë Saudite.

Perëndimi kurrë nuk u përpoq, me të gjitha mjetet ekonomike, politike dhe ushtarake për të mbrojtur Sirianët. Pa interesa madhore, fuqitë perëndimore kishin pak motiv për të vepruar.

Por tani, nëse ka një gjë që Perëndimi ka frikë më shumë se terroristët, janë refugjatët.

Frika nga refugjatët e rinj tashmë po e bën nervoz Evropën. Të enjten e kaluar, kancelarja gjermane Angela Merkel e thirri Putinin për të diskutuar mbi Sirinë; një ditë më vonë, Putin njoftoi një armëpushim të ri. Siranët duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë.

Nëse fuqitë perëndimore nuk janë të gatshme të mbrojnë Sirianët nga Asad, atëherë viktimat e Asadit duhet të kërcënojnë të kërkojnë siguri nga Perëndimi. Turqia mund të mos jetë e gatshme të marrë më shumë refugjatë, por mund të lehtësojë daljen e tyre në perëndim dhe mbase të detyrojë një gatishmëri për të mbrojtur Idlibib.

Simpatia për viktimat nuk arriti t’i jepte fund inercisë së qeverive perëndimore, mbase frika nga refugjatët do t’i nxisë ata të veprojnë.