MENU
klinika

Të dhënat

Kolaudimi, qeveria rinovon kontratën me koncensionarin

05.09.2019 - 10:23

Për të paktën edhe një vit, kontrollin teknik të detyrueshëm të automjeteve do ta ketë kompania koncensionare “SGS AutomotiveAlbania”.

Në përfundim të kontratës 10-vjeçare, Qeveria ka vendosur të rinovojë marrëveshjen deri në dhjetor të vitit 2020.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues, ka nënshkruar një shtesë afati të kontratës me shoqërinë ‘SGS AutomotiveAlbania’, si pjesë përbërëse e Kontratës së Koncesionit ‘Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë’.

Përfaqësuesit e MIE kanë zhvilluar disa takime negociuese me përfaqësuesit e kompanisë koncensionare, në lidhje me shtyrjen e afatit të kontratës. Në përfundim të këtyre takimeve, u vendos të nënshkruhej kontrata shtesë e koncesionit, në të cilët palët kanë rënë dakord për ndryshimin e përfundimit të kontratës duke vendosur afatin e ri deri në datën 31.12 2020”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

KONTRATA

Koncesioni i kontrollit teknik të automjeteve u dha në vitin 2009 me afat 10- vjeçar. Marrëveshja e firmosur asokohe nga qeveria Berisha parashikonte detyrimin e kompanisë për të investuar 561 milionë lekë. Në shkëmbim të këtij investimi, qeveria shqiptare i jepte të drejtën të arkëtonte tarifën e kontrollit vjetor teknik të automjeteve. Por, në përfundim të afatit, Qeveria ka vendosur shtyrjen me të paktën edhe një vit të kontratës.

KONCENSIONARI

Por, gjatë kësaj periudhe, pra deri në vitin 2020, Qeveria do të bëjë edhe vlerësimin e ofertave që mund të paraqiten. Megjithatë, siç edhe specifikohet në marrëveshje, asnjë kontratë e re nuk mund të firmoset pa u zgjidhur kontrata aktuale.

“Në kontratën shtesë përcaktohet se përgjatë periudhës koncensionare, Autoriteti Kontraktues, në kuadër të liberalizimit të tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, mund të kryejë procedurat për lidhjen e një kontratë/marrëveshjeje me subjekte të tjerë për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve, e cila do të nënshkruhet pasi të zgjidhet kontrata koncensionare.

Në këtë rast, Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncensionarin 3 muaj para nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje me subjekte të tjera për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik. Me përfundimin e afatit 3- mujor të njoftimit, kjo kontratë koncensionare konsiderohet e zgjidhur dhe koncensionari heq dorë nga çdo pretendim për këtë zgjidhje të kontratës”, thuhet më tej në njoftimin e ministrisë.

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!