Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur pakënaqësinë me punën e institucioneve shqiptare për mbrojtjen e fëmijëve.
Ai u shpreh se institucionet kanë dështuar në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kritikoi dikasteret gjatë takimit të radhës me grupin e “Miqve të Fëmijëve”.
Gjatë raportimit të “Grupit të Miqve të Fëmijëve” të përbërë nga ministra dhe deputetë për masat e marra për të drejtat e të miturve, kryeparlamentari tha se nuk është përmbushur asnjë nga objektivat e caktuara në tryezat e mëparshme.
“Raporti zbulon se një nga dy masat e parashikuara nuk janë raportuar, ose janë shtyrë, ose nuk kanë nisur të zbatohen. Ka edhe mjaft tregues të tjerë shqetësues që flasin vetë dhe nuk ka nevojë as për fjalime dhe as për justifikime”, ka thënë Ruçi.
Ruçi premtoi se do të merret personalisht me mënyrën sesi përdoret buxheti për fëmijët. Sipas tij, kush abuzon do të marrë dënimin e merituar.
“Unë do të monitoroj personalisht mobilizimin e këtyre burimeve financiare për sektorët dhe programet që lidhen gjatë gjithë fazave të diskutimit të buxhetit për vitin e ardhshëm. A duhet ne të rishikojmë kodin e familjes për të mbështetur më mirë zbatimin e ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve?” u shpreh Ruçi.
Ministrja Ogerta Manastirliu raportoi për herë të parë në tryezë se po ndiqen penalisht 4 prindër që abuzonin me fëmijët. Gjithashtu u këshillua që të gjithë të tregohen të kujdesshëm për mos të rrezikuar burgun.