MENU
klinika

Fiorentina triumfon në Milano

Milan për turp! Kuqezinjtë ‘prekin fundin’!

29.09.2019 - 23:04

Milani i Marco Giampaolos preku fundin mbrëmjen e sotme, teksa humbi me rezultatin 1-3 përballë Fiorentinës në “San Siro”, në atë që është edhe disfata e katërt në 6 javë kampionat për kuqezinjtë.

Ndërkohë që të gjithë prisnin reagimin e Milanit dhe rikthimin te suksesi, përballë ishte Fiorentina e një ish-i si Vincenzo Montella, një skuadër e karikuar maksimalisht dhe në kërkim të pikëve të munguar a në javët e para.

Trajneri Giampaolo kishte zgjedhur të njëjtin formacion me të cilin përballoi Torinon të enjten, por shpejt kontrollin e lojës e mori skuadra vjollcë, që arriti të gjejë edhe golin e avantazhit në minutën e 14’ të takimit.

Një penallti naive e shkaktuar nga mesfushori algjerian Bennacer, u mor përsipër nga uruguaiani Pulgar, që gjuajti saktë dhe mposhti Donnarummën, duke i dhënë avantazhin Fiorentinës, që ishte dukshëm superiore në këtë takim.

Në pjesën e dytë Giampaolo tentoi të ndryshojë diçka duke hedhur në fushë Kruniç, por një ndërhyrje amatoreske e mbrojtësit Musacchio në gjunjët e Franck Ribery, bëri që argjentinasi të ndëshkohej me karton të kuq dhe të linte kuqezinjtë me 10 futbollistë.

Vetëm pak minuta më vonë, ishte talenti që ka shpërthyer këtë sezon te Fiorentina, Castrovilli, që shënoi golin e parë në kampionatin italian dhe “vuri në kasafortë” suksesin e vjollcëve në Milano.

Në minutën e 70’, Bennacer shkaktoi një tjetër penallti të çuditshme, të cilën e ekzekutoi Chiesa, por e priti mjaft bukur Donnarumma, megjithatë 8 minuta më vonë, portieri italian nuk bëri dot asgjë ndaj gjuajtjes së Franck Ribery, që çoi rezultatin në 0-3.


Për të parë të vetmen gjë të bukur të Milanit mbrëmjen e sotme, duhej pritur minuta e 80’, kur talenti portugez Rafael Leao mori një top nga Hernandez dhe pasi dribloi 2-3 kundërshtarë, mposhti portierin Dragowski, duke shënuar golin e nderit për kuqezinjtë.

Deri në fund pati vetëm tentativa të dëshpëruara të Milanit, për të rihapur takimin, por për shkak të mangësisë numerike dhe minutave të kaluara, lodhja nuk lejoi që të ndërtoheshin aksione të rrezikshme. Vërshëllima e trefishtë e arbitrit la në fuqi triumfin 1-3 të Fiorentinës, që nuk fitonte në transfertë që prej 16 shkurtit të këtij viti, por që sot regjistroi suksesin e dytë sezonal dhe u ngjit në kuotën e 8 pikëve.

Në krizë totale Milani, që numëron vetëm dy fitore e 4 humbje në këtë fillim sezoni, 3 prej të cilave janë regjistruar radhazi brenda një jave, ndërsa në Itali konfirmohet se Giampaolo i ka orët e numëruara.