Presidenti Donald Trump ka shkarkuar nga detyra Këshilltarin e Sigurisë, John Bolton.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Presidenti Trump, i ci li tha: “Unë e njoftova John Bolton mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk u pajtova me shumë nga sugjerimet e tij.”
Teksa ka dhënë njoftimin Trump shtoi se këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare do të emërohej javën e ardhshme.
Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham u tha gazetarëve: “Presidentit nuk i pëlqyen shumë politikat e tij, ata nuk pajtohen.”
Në përgjigje të shkarkimit, Bolton tha: “Unë u ofrova të jepja dorëheqjen mbrëmë dhe Presidenti Trump më tha: “Le të flasim për këtë nesër. “
Por kush është John Bolton?
John Robert Bolton, i lindur më 20 nëntor 1948, Baltimore, Maryland, SHBA, është zyrtar i qeverisë amerikane, i cili shërbeu si këshilltar i sigurimit kombëtar nën udhëheqjen e Donald Trump. Bolton më parë ishte ambasadori i përkohshëm i SHBA në Kombet e Bashkuara (2005-2006).
Bolton u arsimua në Universitetin Yale dhe shumica e karrierës së tij të mëvonshme u shpenzua duke u marrë me punët e qeverisë. Si një republikan konservator, ai filloi shërbimin e tij federal në administratën e Ronald Reagan, duke mbajtur poste në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe si ndihmës avokat i përgjithshëm (1985-89). Nga 1989 në 1993, nën udhëheqjen e presidentit George H.W. Bush, ai ishte ndihmës sekretari i shtetit për çështjet e organizimit ndërkombëtar. Gjatë viteve 1990 Bolton ishte aktiv në organizata të shquara konservatore, përfshirë Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve (AEI), në të cilin ai ishte nënkryetar në 1997-2001 dhe Projekti për shekullin e ri amerikan. Ai gjithashtu ishte një zyrtar i Komitetit Republikan Kombëtar.
Nën udhëheqjen e presidentit Xhorxh W. Bush, Bolton ishte nënsekretar i shtetit për kontrollin e armëve dhe çështjet ndërkombëtare të sigurisë. Ai mbështeti një numër ndryshimesh të pozicioneve të politikës së jashtme të SHBA, duke përfshirë tërheqjen e mbështetjes për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe tërheqjen nga Traktati i Raketave Anti-Balistike.
Për disa kohë ai ishte një anëtar i delegacionit të SHBA në bisedimet me Korenë e Veriut, por ai u hoq në vitin 2003 pasi ai bëri komente përçmuese lidhur me udhëheqësin e atij vendi.
Pas largimit nga detyra, Bolton rifilloi punën e tij me organizatat konservatore, sidomos AEI. Ai gjithashtu u bë një konsulent i Fox News. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, ai shërbeu si këshilltar i Mitt Romney. Në mars të vitit 2018 Donald Trump njoftoi se Bolton do të zëvendësonte Gjeneralin H.R. McMaster si kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Bolton mori postin, i cili nuk kërkon konfirmimin e Senatit, muajin pasardhës.
Vetëm një muaj pasi u punësua nga Trump, Bolton ia dha shtysën kryesore Trumpit, shtytjen që kishte nevojë, pra largimin nga marrëveshja nukleare me Iranin. Ndaj ka jo pak arsye për tu konsideruar njeriu më i rrezikshëm në botë.
Po për shqiptarët?
Për shqiptarët do të kujtohet si njeriu i parë i rëndësishëm që gati 2 vjet më parë foli hapur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duke lënë të hapur edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. SHBA është e gatshme të ndihmojë dhe të mbështesë palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, – u shpreh Bolton që shtoi se Uashintoni ishte i gatshëm të pranonte “çdo lloj marrëveshje për të cilën do të binin dakord të dyja palët dhe që do të ishte e zbatueshme”. Kjo e ka bërë “të padëshiruar” për ata që ishin kundër ndryshimit të kufijve.
Bolton ka qenë edhe i akuzuar. Ai ka qenë një nga kundërshtarët e bombardimeve mbi Serbi në 1999-ën dhe kjo e ka bërë të shihet me sy jo të mirë në Prishtinë dhe Tiranë. Gjithsesi, politika amerikane ka qenë deri diku e qartë: “Konfliktet duhet të marrin fund edhe në Ballkan”.