Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla u prit ditën e sotme në një takim në Selinë Qëndrore të Unionit Kristian-Demokrat (CDU) nga Sekretari i Përgjithshëm i CDU Paul Zemiak.
“Shqipëria i është mirënjohëse Kancelares Angela Merkel dhe Grupit Parlamentar të CDU për të mbështetur vendimin e Bundestagut që autorizon Qeverinë Federale për të miratuar në Këshillin Europian të 17-18 Tetorit fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Lidhur me rekomandimet e vendimit të Bundestagut, bashkëndamë vlerësimin se është në interesin e Shqipërisë, por edhe të partnerëve tanë evropianë që puna në këto fusha të drejtohet dhe të monitorohet në kontekstin e benchmarks të negociatave të anëtarësimit. Sigurisht është edhe në interesin e besueshmërisë së procesit të zgjerimit që të tregojë se dedikimi ndaj progresit në reforma po shpërblehet dhe është frytdhënës.
Me mbështetjen e Gjermanisë dhe BE, po ashtu edhe të SHBA, Shqipëria po ndërton një sistem të ri të drejtësisë. Gjermania është mbështetësi kryesor i Projektit EURALIUS, i cili ka krijuar kushtet për implementimin e reformës së drejtësisë, kontribon në forcimin e pavarësisë, të transparencës dhe eficiencës së sistemit të drejtësisë.
Padyshim që pjesë e bisedës ishte edhe diskutimi mbi zgjerimin e kanaleve të bashkëpunimit. Si dy homologë në partitë respektive, ramë dakord për një vizitë të afërme të zotit Zemiak në Tiranë”, u shpreh Balla.
Mbrëmjen e sotme pritet të zhvillohet votimi në Seancën Plenare të Bundestagut.