Ernesto Valverde nuk po jep siguri në Camp Nou. Trajneri i Barcelonës prej dy vitesh nuk po bind tifozët katalanas me ecurinë e tij.
Edhe pse ka fituar dy herë La Liga-n, Kupën e Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës, duket se nuk është mjaftueshëm për ta mbajtur Valverden në Katalunia.
Dy eliminimet nga Champions League kundër Romës dhe më pas kundër Liverpool, kanë patur një ndikim jo pak të rëndësishëm. Gjithashtu, starti i dobët i këtij sezoni ka bërë që e ardhmja e tij të vihet gjithnjë e më tepër në dyshim.
Një prej blerjeve të reja të Barcelonës, Frenkie de Jong, duket se nuk po arrin të gjejë formën e tij më të mirë në mesfushën e blaugranasve. Në Spanjë, fajësojnë trajnerin i cili nuk po gjen gjuhën e përbashkët në aspektin taktik për të shfrytëzuar cilësitë e holandezit.
Pakënaqësia e De Jong me Valverden duket se nuk është më një thashethem. Kjo gjë duket se është konfirmuar nga një “like” në rrjetin social Instagram, që lojtari i ka bërë komentit të një tifozi që kërkon shkarkimin e trajnerit. Holandezi e ka hequr menjëherë, por aq ka mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e njerëzve duke shtuar problemet e Valverdes me ekipin.
La Liga nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për kampionët spanjollë dhe barazimi me Borussian nuk i jep siguri për kualifikim në Champions League në një grup të vështirë sëbashku me Interin.