Partia Demokratike ka publikuar sot prova, që sipas saj, tregojnë si u manipulua procesi i votimit të 30 qershorit nga mazhoranca.
Ish-deputeti Oerd Bylykbashi tha nga selia blu se disa nga provat që tregojnë manipulimin janë: fletët e votimit janë marrë në grup, janë plotësuar fletë votimi bosh, janë mbushur kutitë e votimit nga komisionerët socialistë.
“Grupet e numërimit dhe KZAZ-të kanë manipuluar shifrat që kanë dalë nga numërimi i çdo tavoline. Fletët e votimit janë marrë në grup dhe nuk janë numëruar veç e veç shpeshherë. Ka flet votimi të numëruara jashtë kamerave. Janë plotësuar fletë votimi bosh në tavolinat e numërimit. Në kutitë e votimit janë gjetur fletë pa vula. Kutitë janë mbushur nga komisionerët socialistë”, tha Bylykbashi.
Më tej, ish-deputeti Bylykbashi, i cili shoqërohej dhe nga Sekretari për Zgjedhejt në PD, Ivi Kaso, solli me foto disa raste, që sipas PD, provojnë manipulimin e votave të 30 qershorit nga mazhoranca.