Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndërsa u foli për situatën politikë në vend dhe aksionin e opozitës, i pyetur nëse do të vijojnë protesta, nuk dha një përgjigje të qartë.
I ftuar në “Kjo Javë”, Basha tha se ato nuk janë ndalur kurrë dhe as nuk janë spostuar, ndërsa shtoi se aksioni i opozitës nuk është mjaftuar vetëm me protestat.
“Opozita është në krye të detyrës në një moment kritik që po kalon vendi, që shikohet në radhë të parë tek frigoriferi i shqiptarëve, tek ata që nuk mbyllin dot muajin.
Shkau i vërtetë i kësaj krize është mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Aksioni ynë nuk është mjaftuar vetëm me protestat, por edh me një aktivitet të ngjeshur me takime me qytetarët dhe ndërkombëtarë dhe natyrisht edhe brenda koalicionit opozitar me platformën për zgjidhjen e krizës.
Protesta nuk është se janë ndalur apo spostuar. Ka pasur çdo ditë, në Shkodër, Korçë, protesta janë mjet për të arritur një qëllim dhe qëllimi ynë është të nxjerrim vendin nga kriza dhe kjo do vijë me zgjedhjet e lira e të ndershme”, tha Basha.