Presidenti i SHBA Trump kërcënoi në Twitter, se do ta „shkatërrojë tërësisht dhe asgjësojë ekonominë turke“, nëse Ankaraja vazhdon me ofensivën kundër kurdëve në Veri të Sirisë.
Mesazhi në Twitter i Donald Trump këtë javë do të ishte i panevojshëm për të bërë të qartë, se politika e SHBA-së në Siri dhe Lindjen e Mesme karakterizohet nga një shkallë e lartë konfuzioni. Me vendimin e tij për t’i tërhequr trupat e SHBA-së nga ky rajon, Trump i dha një carta bianca presidentit Recep Tayyip Erdogan për fushatën e tij kundër forcave kurde. Ndërkohë që deri vonë kurdët ishin aleati më i fortë i amerikanëve në luftën kundër terroristëve të IS-it.
Por pastaj Trump reagoi ndaj presionit masiv të Kongresit dhe Pentagonit në Uashington duke u tërhequr disi të hënën (07.10): Ai e paralajmëroi Ankaranë, se nëse Turqia ndërmerr diçka, „jashtë asaj që ne e konsiderojmë si humane”, ekonomia e vendit do të „dobësohet ekstremisht”.
Deklarata presidenciale para shtypit në Shtëpinë e Bardhë ishte versioni zbutur i një mesazhi Twitter të Trump-it të dielën (06.10), përmes të cilit ai kërcënonte ekonominë turke me „shkatërrim dhe asgjësim total”.
Ndërkaq një grup i senatorëve të SHBA-së përmendi masat, përmes të cilave çdo pasuri e udhëheqjes turke (përfshi edhe Erdoganin) në SHBA do të ngrihej dhe ndaj sipërmarrjeve, që kanë biznese me Turqinë, do të vendosen sanksione, derisa Ankaraja të tërheqë trupat nga Siria. Një ligj përkatës do të prekte edhe furnizimet e mallrave të huaja për armatime në Turqi. Po çfarë do të vendosë Trump tani?
Kur është fjala për të vendosur sanksione ndaj vendeve, Trump normalisht vepron pa asnjë paralajmërim dhe as nuk përpiqet me bisedime serioze përpara. Veprimet e tij ndërkohë kanë disa tipare: sharje, kërcënime, ndëshkime. Pas kësaj vjen një ofertë zemërgjerë për bisedime kokë më kokë, si në rastin me Korëne e Veriut apo edhe me BE-në. Ndaj presidenti turk duket se nuk është befasuar nga reagimi i Trumpit.
Marrëdhënie të rënduara
Edhe nëse Lira turke pas Twitter-it të Trumpit po përjeton rënien më të fortë që nga gushti, vlen të theksohet aftësia e Erdoganit për t‘iu shmangur pasojave masive ekonomike si rrjedhojë e përkeqësimit të marrëdhënieve bilaterale. Vitin në vazhdim ai ia doli, që t’i shmangë sankssionet për shkak të blerjes së sistemeve ruse të raketave nga Ankaraja ose për shkak të devijimit në shuma miliardëshe si rrjedhojë e sanksioneve ndaj Iranit.
Vitin e kaluar presidenti turk i përballoi vet sanksionet, që vendosi SHBA pas arrestimit të priftit amerikan Andrew Brunson. Më pas prifti u lirua. Erdogani vendosi sanksione të ngjashme ndaj dy përfaqësuesve të autoriteteve të SHBA-së dhe tha, se: “Kush mendon, se mund t’i tregojë kufirin Turqisë me sanksione qesharake, nuk e ka njohur këtë vend dhe këtë komb.”
Tensionet mes partnerëve të NATO-s megjithatë janë të dukshme në marrëdhëniet tregtare. Në mars 2018 qeveria Trump i rriti në 25% doganat për shumicën e partnerëve tregtarë për çelikun dhe aluminin duke përfshirë edhe Turqinë. Në qershor Turqia u përgjigj me dogana ndaj mallrave të SHBA-së si qymyr dhe letër me vlerën rreth 1.6 miliardë Euro.
Por të gjitha këto nuk kanë ndonjë efekt të madh ndaj tregtisë reciproke midis dy vendeve. Eksporti i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve të SHBA-së sipas të dhënave të fundit nga viti 2018 arrijnë në vlerën e 20.5 miliardë Dollarëve. Kësisoj Turqia me këtë volum renditet në vendin e 32 ndër partnerët tregtarë të SHBA-së. Ndërsa mallrat turke për SHBA-në kanë pasur së fundi vlerën e 10.3 miliardë Dollarëve.
Edhe sektori i investimeve direkte amerikane në Turqi më 2017 ka qenë sipas të dhënave të fundit) në nivelin 4.3 miliardë Dollarë disi modest. Investimet direkte turke më 2017 nuk i kaluan 2 miliardë Dollarët.
Por edhe nëse tregtia reciproke duket modeste, sanksionet e SHBA-së do ta preknin tani Turqinë në kohë të papërshtatshme. Lira është që prej dy vjetësh në rënie me gati 40% dhe më 2018 ekonomia turke pësoi një recesion të thellë, prej nga po e merr veten shumë ngadalë.
Ndërkohë SHBA në kuadër të të ashtuquajturit “active sanctions program” kanë vendosur gati 10.000 masa të ndryshme ndëshkuese, që prekin 31 vende dhe grupe politike. Sanksionet janë disi të preferuara prej qeverisë Trump, duken si një kërbaç që mund të ketë efekt për bisedime të thjeshta, por që nuk sjellin dëm sa një ndërhyrje ushtarake. Përdorimi i kësaj metode gjithsesi është intensifikuar këtë shekull, kryesisht qëkurse SHBA kanë nisur ta perfeksionojnë atë si instruemnt financiar për sanksionet.
Efekti i luftës amerikane “money war”, lufta me paratë, sikurse quhet, bazohet në rolin qendror, që luan sistemi amerikan i financave për ekonominë globale dhe statusi i Dollarit në mbarë botën si një monedhë e rëndësishme për ruajtjen e rezervave. Edhe nëse një firmë nuk bën thuajse asnjë biznes me SHBA-në, banka e saj me siguri që bën ndonjë biznes. Ndaj një firmë humbet hapësirën e veprimit, nëse ajo bën tregti me ndonjë vend, i cili është i prekur prej sanksioneve të SHBA-së.
Po ashtu 60 përqind e rezervave ndërkombëtare të valutës janë në Dollarë, sepse Dollari përdoret në tregtinë ndërkombëtare me naftën dhe gazin si dhe në sektorët e mëdha të tregtisë botërore të mallrave. E tek e fundit juridiksioni për çdo Dollar është në “Office of Foreign Assets Control”, Entin për Kontrollin e Pasurive në SHBA-së në Botën e Jashtme, sepse çdo dollar duhet të kalojë përmes sistemit bankar të SHBA-së. Ndaj çdo transaksion me Dollarë në një bankë të huaj mund të rikthehet e eventualisht të bllokohet në SHBA.
Ndoshta këtë ka dashur të thotë ish-ministri amerikan i Financave John Connally më 1971 me shprehjen: “Dollari është monedha jonë, por problemi juaj.”
Opsionet e Erdoganit
Nëse vërtetë do të vendosen sanksionet e SHBA-së kundër Turqisë ato do të kishin efekt duke e dëmtuar rëndë ekonominë e këtij vendi. Nga ana tjetër, sanksionet nuk kanë efekt, nëse duket se mund të vihen në rrezik interesat thelbësore të vendit, sepse në një rast të tillë qeveritë e këtyre vendeve reagojnë në mënyrë edhe më të sofistikuar.
P.sh. Sanksionet e ashpra ndaj Rusisë, që e prekën rëndë ekonominë ruse, nuk dhanë efekt që Rusia më 2014 ta kthente Krimenë dhe që Moska të tërhiqej nga mbështetja për separatistët në Lindje të Ukrainës. Po kaq pak efekt kanë pasur sanksionet edhe ndaj Teheranit, i cili nuk ka bërë lëshime lidhur me programin bërthamor, ndonëse ekonomia e vendit ka rënë prej sanksioneve me 6 përqind. Edhe linja e diskutueshme Nord Stream 2 mes Rusisë dhe Gjermanisë po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht se Trump në mënyrë të përsëritur i ka kërcënuar me sanksione firmat pjesëmarrëse.
Ministria e Financave në SHBA kohët e fundit tërhoqi vëmendjen, se pse numri i masave të sanksioneve është rritur, suksesi i tyre nuk matet nga volumi, por nëse ato ndihmojnë për të arritur qëllimet politike. Me politikën e tij të “money war” kundër Turqisë deri tani presidenti i SHBA-së, Trump ka arritur vetëm, që Ankaraja të afrohet më shumë me Moskën dhe Teheranin.
Uwe Hessler, Deutsche Welle