Kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht tezën se Maqedonia e Veriut u sakrifikua për Shqipërinë, duke marrë sot dhe ajo një “JO” nga Këshilli Europian për çeljen e negociatave me BE.
Përball gazetarëve, kreu i qeverisë shqiptare tha se kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka dashur kurrsesi në asnjë moment që të dy vendet të ndahen.
Po ashtu ai tha se Shqipëria e meritonte më shumë se kushdo tjetër çeljen e negociatave, ndërsa e quajti tezën predikim të lodhur nga ata që sipas tij kanë dashur të sakatojnë Shqipërinë.
“Edhe presidenti Macron duhet të bëjë më shumë, gjë që e thotë dhe ai. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë. Një gjë është e sigurt që ne kemi bërë gjithçka që presidenti Macron dhe të tjerë dje të thoshin “PO” për të çelur negociatat. Bishtat që shtohen para nuk vlejnë.
Qëndrimi i presidentit në raport me temën e djeshme është konceptual kundër mënyrës se si funksionon BE. Edhe kundërshtia e tij ndaj disa vendeve, që në një moment të caktuar kanë menduar se; ‘hajde e bëjmë këtë punë, duke i ndarë’, nuk është mendim koherent.
Jemi në një moment historik për ne dhe Europën. Është moment i përkohshëm. Asnjëherë Gjermania nuk ka dashur ndarje, me një pozicion strategjik. Kancelarja ka dhënë veton për këtë punë; ndarje kurrë. Predikimi se Maqedonia e Veriut e ka pësuar nga Shqipëria, është predikim i lodhur i atyre që bën çmos për të penguar këtë proces, të sakatonin Shqipërinë në sytë e atyre që vendosën apo nuk vendosën dje. Nuk është e vërtetë. E vërteta është se Shqipëria ka shumë për të bërë. Nuk diskutohet kjo. Askush se ka shtruar si pyetje.
Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër më parë përpara çeljes së negociatave. Shqipërisë i është kërkuar shumë më tepër, pasi rruga është vështirësuar.