MENU
klinika

"Nature morte"

Dardha-femër, erotizmi i përmbajtur i Omer Kaleshit

15.10.2019 - 10:18

Omer Kaleshi nuk është vetëm piktori i «dramës ballkanike”, apo i “kokave” (portreteve”) siç i quan ai, i dervishëve apo barinjve të Ballkanit, por ai është gjithashtu dhe piktor i tablove «nature morte», ai atyre telajove që ai parapëlqen t’i pikturojë në kohë të paqta, kohë prehjeje, si për të gjetur frymëmarrje pas një pune të tensionuar, të lodhshme e të shqetësuar nga ethet e krijimit. Por kur mendon se në pikturën e tij ciklike, ku ai ndryshon gjithnjë tematikën e tij, ashtu si sezonet, edhe pse e ruan të njëjtin stil e frymë estetike, rikthimi i tij në «nature morte» mbart në vetvete një ndjesi ngazëlluese, çka e veçon atë nga risia e tij pikturale që prej 50 vjetësh./Konica.al

«Nature morte» është nga vizatimet më të vjetra të njeriut, si në faqet shkëmbore të shpellave të njerëzve të parë e veçanërisht në Antikitet. Gjatë Mesjetës së hershme, Kisha e pengoi këtë lloj pikture, duke i shtyrë artistët (le t’i hedhim një sy rrymave të «quatroçentos» dhe «cinqueçentos») për t’iu përkushtuar veçse temave biblike. Por nga shekujt XVI e këndej, kur Vasari, ky piktor dhe historian i artit shkroi për Giovanni da Udine, duke përdorur termin «cose naturali» (për «nature morte»), kjo lloj pikture do të merrte zhvillim, sidomos në shkollat pikturale të veriut europian e veçanërisht në pikturën flamande e hollandeze me autorë tën johur si Sniyders, Jean De Heem, Der Meer, etj. Më 1650, flamandët i quanin këto lloj tablosh «stilleven» ku nënkuptoheshin «disa fruta, peshq, lule, etj», ndërsa gjermanët i quajtën «stilleben», ndryshe nga fjala anglezët «still-life», pra «një jetë e heshtur apo e palëvizur». Diderot shkrojti për Sallonin e Pikturës, në shekullin e XVII dhe përdori fjalët «natures innanimés» dhe termi «nature morte» filloi të përdorej gjerësisht nga francezët e pastaj nga gjithë bota..

 

 

Por le të kthehemi te tablotë e Omerit, të këtij piktori sa tradicional aq dhe modern, sa ballkanik aq dhe eurpian e universal, për të parë nga afër se ç’përfaqëson për të kjo lloj pikture, ç’vend zë ajo në krijimtaritë e tij, pse ky angazhim i herëpashershëm, dhe përse ka filluar kjo aventurë pikturale. Mund të themi se «nature morte» janë nga tablotë e para të Omerit, i cili kur vazhdonte studimet në Akademinë e Arteve në Stamboll, ku kishte emigruar familja e tij shqiptare, në një ekspozitë të madhe paraqit tablonë e tij «Delja e therrur» . Kur kërkova ta shikoja fotografinë e kësaj tabloje, Omeri më tha se mjerisht nga ajo tablo ruante veçse një fotografi bardh e zi, pa ngjyra, dhe se ishte e pamundur ta shikoja, meqë ajo pikturë ishte shitur që atëherë, blerë nga vetë Muzeu i Pikturës dhe i Skulpturës së Stambollit. Pra nga tabloja kishte mbetur veç një foto e zbehtë, të cilën sa e pashë, mendova menjëherë për tablonë «Kau i therrur» të anglezit Francis Becon, apo i piktururar gjithashtu në tablonë e Sutine në Paris. Dhe duke biseduar me Omerin, ai më foli dhe për një tablo të Goya-s, për një copë mishi. Më kishte bërë përshtypje, nga Francisco Goya një tablo e tij ku ishin veçse tri porcione të prera të peshkut somon, ku mjeshtri i madh u kishte dhënë një shkëlqim të bukur me të kuqen e tij origjinale. Ja pra, dhe mjeshtrit më të mëdhenj të pikturës botërore, nga figurat historike dhe oborret mbretërore e po ashtu ngjarjet tronditës, nuk munguan t’i drejtohen dhe tablove të «nature morte» apo «inanimées» siç mund t’i quajmë. Duke i hedhur një vështrim tërë krijimtarisë pikturale të Omerit në këtë fushë, shohim se tablotë e tij mund të grupohen në «fruta të vetmuara», «fruta dhe erotizëm», «fruta dhe koka» si dhe «shporta dhe fruta».

Fruta të vetmuara

Ashtu si «kokat» (portretet) e Omerit, të cilat qëndrojnë të veçuara nga trupi, në ajër, në hapësirën e telajos, në mbretërinë e të kuqes, të ngjyrës së zezë apo të së bardhës, ashtu qëndrojnë edhe frutat që ai ka pikturuar që në vitet 70-80’, në sfonde uniformë, ndryshe nga mjeshtrit e shkollës flamande, frutat e të cilëve janë gjithnjë të shoqëruara, pra të vendosura në një tavolinë ku ka herë një shportë, e herë një kanë uji, një objekt kuzhine, etj. Këto objekte mungojnë tek Omeri, po kështu dhe sfondi ambiental, përveç shportës në disa raste. Duke i vendosur kështu, duket se artisti kërkon të tërheqë vemendjen vetëm mbi atë objekt: një mollë, një dardhë, një ftua. Dhe variacionet e frutave në fakt, tek ai janë të pakta: ai nuk pikturon rrush, shegë, shalqinj apo pjepra, nuk pikturon vazo me lule, siç pikturonin Sezanne, Van Gogh (Luledielli – Les Torunesols)), apo shumë më parë se ata, Jan Brueghuel (i vjetri). Pra shija e tij shkon gjithnjë në drejtim të këtyre lloj frutash, (mos të harrojmë frutat e famshme të Edouard Manet, autorit të «Drekë mbi bar»)një ndjesi e veçantë që duket se është fiksuar në memorien vizuale të artistit. Dhe kjo në fakt ka ndodhur në adoleshencën e tij, kur siç më ka treguar Omeri, fëmijët e fshatit dilnin deri në stacionin e trenit tu shisnin udhëtarëve fruta, dhe ashtu të ngarkuar me to vraponin drejt tyre.

 

 

Fruta dhe erotizëm

Në fillim, ishte një dardhë erotike që më befasoi. Një finesë e jashtëzakonshme në ato tone ngjyrash ku mbizotëronte një jeshile e lehtë si dhe tone të verdha. Por aty nuk ishte thjesht një dardhë, por trupi femëror, një «femër-dardhë» me linjat e saj trupore, me vithet erotike të një trupi që qëndronte ndenjur, ashtu siç qëndrojnë modelet nudo kur i shohim nga pas, apo siç qëndronin disi figurat nudo të Ingres të tablove të tij me hamamët turk. E kështu, pas një dardhe, një mollë erotike, dhe një tjetër, e kështu me rradhë. Një ditë, kur shkova në atelierin e tij, i çova një dardhë të çuditshme, një «trup femëror» ku kishte një asosiacion të seksit femëror, por kur e pa atë dardhë që i zgjata, ai qeshi dhe e la mënjanë. E kuptova, sepse Omeri nuk përdor kurrë një model… asnjë model njeriu nuk ka hyrë në atelierin e tij. Gjithçka është imagjinatë, përfytyrim… Dy javë më vonë, ai më dhuroi po një dardhë, por në një tablo, një «dardhë-femër» e parë nga pas, me vithet ulur në një lloj çanaku. Sigurisht, më lumturoi. E gjitha ishte në një sfond të kuqe e ndezur. Duke parë furutat e kësaj serie me simbolikën erotike, mund të mendosh gjithashtu për tablotë simbolike të Gustave Courbet, autorit të «Origjinës së Botës» siç e kanë quajtur kritikët e artit : janë ca guva të errëta nga rrjedhin përrenj, ku kritikët kanë parë po ashtu seksin femëror. Dhe Omerit i pëlqeu ky erotizëm i përmbajtur.

Fruta dhe koka

Nganjëherë Omeri i ka bashkuar kokat me fruta, si duket një nevojë e çastit, por sigurisht një jehonë e imazheve të tij të adoleshencës: çobanë, baresha të vogla, vajza në moshën e dashurisë, barinj,  të cilët kanë rreth kokave të tyre veçse fruta. Janë tablo të cilat nuk hyjnë në kategorinë e «nature morte», që Omeri filloi t’i krijojë në vitet 70-80’. Janë imazhe të fëmijëve që shisnin fruta dhe në pazaret e Stambollit. Një simbiozë e çuditshme kokash dhe frutash, ku në një mënyrë konvencionale, ai na jep imazhe mjaft të ndjera, poetike dhe ngazëlluese. Të gjitha kokat janë të gëzuara, sikur frutat tu jepnin një lloj jete të gëzuar.

 

 

Fruta dhe shporta

Jo rrallë, Omeri i vendos frutat në shporta, ashtu siç i kanë vendosur ato dhe Charles Dufresne i famshëm për frutat e tij, apo PaulSezan, Jean-Simon Chardin, një nga autorët më të njohur francezë të «nature morte», të cilin Omeri e vlerëson në veçanti. Shporta është një nga elementet e shpeshtë në pikturën e Omerit, pasi tek ai ajo është diçka autoktone, familjare, me to është rritur e madje, edhe sot, në atelierin e tij, në një oxhak të krijuar nga ai, ka një shportë, si dhe një tjetër në cep të atelierit. Këtë element e shohim dhe në një seri të gjatë të viteve 2000, «Shporta dhe kokë», të cilat u ekspozuan dhe në Paris, në sallonet e Bashkisë së Parisit 13. E ndoshta kjo seri lindi pikërisht pasi Omeri kishte pikturuar tërë këto tablo të serisë «shporta me fruta». Sidoqoftë këto tablo të Omerit, këto «nature morte» janë një prehje e vërtetë në pikturën e tij, një ngazëllim jetësor, ngjyra dhe linja që i tejkalojnë kufijtë e imazheve realiste të frutikulturës dhe që përbëjnë vlera të vërteta arti, tepër origjinale në morinë e madhe të piktorëve të botës, të pasionuar për një temë të tillë./Konica.al

 

Luan Rama