Ne nuk jemi më në shekullin e tij, por ai vazhdon të jetë simboli edhe i shoqërisë së sotme shqiptare (nëse kjo e fundit, mundet të quhet shoqëria postmoderne dhe nëse, po kjo, të ketë kaluar fazat e mëparshme për të ardhur deri këtu…) /Konica.al
Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit, Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar, i viteve 1930.
Konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma, ndaj ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Migjeni lindi më 13 tetor 1911, në Shkodër, në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.
Në një prej botimeve të veprave të Migjenit, Ismail Kadare do të shprehej:
Një njeriu të zakonshëm, të ardhur nga qyteti ortodoks i Manastirit, Shkodra do t’i dukej fillimi i Evropës. Por Migjeni, ndonëse i ri, kishte tjetër vizion për botën dhe të tjera pika referimi. Qytetin e vet të lindjes, atë qytet që mahniste dhe mallëngjente dhjetëra poetë e shkrimtarë të kohës, shumë shpejt ai e gjeti të prapambetur, të mërzitshëm e plot pikëllim.
- Mbi kështjellat mijëvjeçare qëndrojnë sorrat e
smueme.
Krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e
shpresave të humbura.
Me klithma të dëshprueme bajnë fjalë për jetë të
prendueme
Kur kështjellat mijëvjeçare si xhixha shkëlqejshin
të lumtuna.
Kjo është piktura e pamëshirshme që djaloshi njëzet-e ca vjeçar i bën kohës së vet.
Migjeni ishte kundërshtues i pamëshirshëm i çdo lloj konformizmi në art. Ngaqë i dhimbset vendi i tij, ai është kundër idealizmit të tij, ngaqë do përparimin e vendit, ai është kundër traditave të ngrira, euforisë, krenarisë boshe kombëtare, këtyre kanxhave që e mbanin të mbërthyer Shqipërinë në vend dhe nuk e linin të bënte hap përpara.
Ai i ka hyrë rrugës së letërsisë, por arti që do të bëjë ai është ndryshe nga të tjerët. Ndryshe për çdo gjë dhe në çdo gjë. Në zgjedhjen e motiveve, në shtjellimin e tyre, në mesazhin filozofik që kumtojnë, në stilin, teknikën e të shkruarit, gjuhën. Ai ndahet kështu vetvetiu nga një grumbull i madh shkrimtarësh të kohës me një prerje prej humnere. Ndarja e tij s’ka asnjë shtysë abuzive, etje për t’u dukur, dalldi sallonesh letrare, kënaqësi sfiduese, revansh, larje llogarish personale etj., etj. Ndarja e tij është në logjikën e gjërave, është në themel të artit të tij, në gjithë strukturën dhe në çdo qelizë të këtij arti. Letërsia e tij kështu ka lindur si një gjë e veçantë, një gjë tjetërlloj».
Por, ndonëse e tillë e ndarë e veçantë, e tjetërllojshme është pjesë integrale e letërsisë shekullore shqipe. Madje, pjesë thelbësore e saj, sipas ligjit, që në pamje të parë mund të duket paradoksale, por që s’është aspak ashtu, sipas ligjit, pra, që fondi i artë i letërsisë së një populli përbëhet pikërisht nga vepra autorësh që hapin rrugë të reja, rrugë të parrahura më parë, shkurt, që janë «tjetërlloj»./Konica.al