Ndeshjet më të bukura të sezonit futbollistik jo vetëm në Spanjë por edhe nëpër botë janë padyshim përballjet e Barcelonës me Realin e Madridit.
E quajtur ndryshe “El Clasico”, e para e këtij sezoni pritet të luhet më datë 26 tetor në stadiumin “Camp Nou”. Por, situata politike në Katalonjë ka shkaktuar disa trazira, ndërsa në ditën e ndeshjes është parashikuar edhe një manifestim i madh.
Kaosi në qytet do të ishte i lartë atë ditë, duke pasur parasysh edhe tifozët e Realit nëpër rrugët e Barcelonës. Në këtë formë, La Liga po mendon zgjidhjen për të ndryshuar kalendarin dhe “El Clasico” e parë të zhvillohet në “Santiago Bernabeu”, ndërsa ndeshja e kthimit në muajin mars të luhet në “Camp Nou”.
Të dy klubet kanë kohë deri ditën e hënë për të paraqitur vendimet e tyre, megjithatë, Barcelona e cila është klubi që mund të kundërshtojë këtë mundësi, ende nuk ka ndërmarrë një veprim zyrtar.