MENU
klinika

"Poezia e mendimit"

Herbert – poeti i fjalëve pa kufi

29.10.2019 - 15:01

    Poet, eseist, dramaturg dhe autor pjesësh radiofonike, shkrimtar me arritje të pazakonta dhe autoritet të jashtëzakonshëm artistik dhe moral, biografia e të cilit u thur në mënyrë tragjike në historinë e shekullit XX. Zbigniev Herbert bën pjesë tek poetët më të rëndësishëm polakë i përkthyer në mbarë botën. Ndër veprat e botuara citojmë: “Zhurma e kohës”, “Litarët e dritës”, “Zoti Cogito”, “Labirinti buzë detit”, “Një barbar në kopsht”, “Epilogu i stuhisë”, “Raport prej qytetit të rrethuar” etj. Poeti i rezistencës kundër regjimit totalitar, që pllakosi për një kohë të gjatë Poloninë, humanisti dhe filozofi i lirisë, Zbigniew Herbert jetoi pesëmbëdhjetë vjet në Francë, në fshehtësi absolute. Lëndën për poezitë e tij të rezervuara e vjel kryesisht në burimin e historisë së trazuar të Polonisë, me anë të të cilave na zbulon një forcë çliruese në zemër të asociacineve të fjalëve./Konica.al

 

 

Zbigniew Herbert lindi në Lwow në 29 tetor 1924 (sot Lviv në Ukrainë), në Poloninë Lindore. Pas një fëmijërie të lumtur, ai vuajti dhimbjen e vdekjes së vëllait të vogël, pushtimin sovjetik të vitit 1939, më pas pushtimin gjerman të vitit 1941, me procesionin e dëbimeve dhe ekzekutimeve (xhaxhai i tij ishte një nga oficerët që vdiqën në Katyn). Pas luftës, familja e tij u vendos në Gdansk, në lindje të Polonisë, duke u aneksuar përgjithmonë nga BRSS. Pasi studioi drejtësi, biznes dhe filozofi, si dhe profesione të tjera të ndryshme, Herberti bëri debutimin e tij letrar në 1956 me koleksionin “Litar drite”. Në vijimësi do të botojë nëntë vëllime me poezi, tri vëllime me ese, si dhe disa pjesë radiofonike.

Edhe pse synimi i Herbertit si poet dhe subjektet e poezisë së tij janë serioze, ai arrin të ndërthurë në mënyrë efikase humorin dhe satirën. “Cilësia më e veçantë e imagjinatës së Herbertit, – shkroi Laurence Lieberman në revistën Poetry, – është fuqia me të cilën ai përdor fantazinë djallëzore, dinakërinë e absurditeteve zbavitëse, me seriozitetin më të lartë. Fantazia e tij me humor është parzmorja e një mendjeje jashtëzakonisht të shëndetshme që zbon shtypjen politike. Fantazia është një mjet mbijetese: është arma kryesore në një arsenal poezie, që shërben si rojtar i identitetit vetjak, një dallgëpritëse kundër skllavërisë mendore të kishës dhe shtetit totalitar”.

Poezia e Herbert vinte nga këndvështrimi i një personi të ndjeshëm dhe të ndershëm, që jeton në periudha të vështira, i cili, duke sublimuar ndjenjën e ngazëllimit, bukurisë dhe mirësisë, nxjerr në pah lëndimin, dhimbjen dhe indinjatën e tij. Herbert ishte lloji i intelektualit që tërheq mençurinë më shumë nga kuptimi universal, sesa erudicioni, megjithëse me të drejtë konsiderohej një përfaqësues i “poezisë së mendimit”.

 

 

Falë presidentit të Unionit të Shkrimtarëve, në vitin 1958 Herberti arrin të marrë një pasaportë për në Francë, ku qëndron për dy vjet. Për njëzet vjet, udhëtar i palodhur, ai viziton Italinë, Holandën, Greqinë, Gjermaninë Federale, Shtetet e Bashkuara… Tashmë i klasifikuar në listën e zezë, në 1975, ai vijoi të botonte në shtypin klandestin dhe shtypin e emigracionit. Në Varshavë u kthye në vitin 1981. Pas rënies së komunizmit në Poloni, në 1989, ai mbeti një dëshmitar i përkushtuar për zhvillimet në atdheun e tij. Vdiq në korrik 1998 në Varshavë pas një sëmundje të gjatë në mushkëri.

Poeti i historisë, filozofisë, politikës, individualitetit, vargjet e hapërdara të të cilit, të hartuara me kujdes dhe tingëllimë ironik, i dhuruan një reputacion ndërkombëtar. Në prag të vdekjes, në 1998, në moshën 73-vjeç, ai u quajt nga Hass: “një nga poetët më me ndikim evropian të gjysmëshekullit të fundit, dhe mbase – madje, edhe më shumë sesa bashkëkohësit e tij: Czeslaw Milosz dhe Wislawa Szymborska, poeti përcaktues polak i viteve të pasluftës”.

Herbert fitoi çmime të shumta letrare, polake dhe të huaja, përfshirë çmimin “Kościelski” (1963), çmimin austriak “Nikolaus Lenau” (1965), çmimin “Herder” (1973) dhe çmimin “Jeruzalem” (1990)./Konica.al

 

HAKELDAMA

Priftërinjtë kanë një problem

Që qëndron midis etikës e kontabilitetit

Çfarë të bëjnë me paratë 

Që Juda ua hodhi te këmbët

Shuma qe regjistruar

Te shtylla shpenzime

Kronistët do ta shënojnë

Në shtyllën legjendë

Do të ishte e pahijshme ta futnin

Në rubrikën të ardhura të veçanta

Do të ishte e rrezikshme ta vinin në thesar

Ajo shumë mund t’i korruptonte paratë

Do të ishte pa vend

Të blinin me të një shandan për një tempull

Apo t’ua shpërndanin të varfërve

Pas një debati të gjatë

Ata vendosën të blenin sheshin e poçarëve

Të hapnin aty

Një varrezë për pelegrinët

Paratë e vdekjes

Në njëfarë mënyre

T’ia kthenin vdekjes

Kjo qe një zgjidhje

Plot takt

Atëherë përse

Emri i atij vendi

Shungullon nëpër shekuj

Hakeldama

Hakeldama

Fusha e gjakut

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen