Shkrimtari ynë me famë botërore, Ismail Kadare, veç nominimit për Nobelin në letërsi, kur pak ditë më parë u nderua me “Nobelin amerikan”, mban sakaq edhe çmimin e njohur letrar koreano-jugor, “Pak Kyong-ni”. Ky çmim iu akordua Kadaresë, si mirënjohje për krijimtarinë me vlera sociale, që buron nga përvoja historike e popullit shqiptar, – sikurse raporton agjencia “Yonhap”.
Shkrimtari 83-vjeçar shqiptar Ismail Kadare tha të mërkurën në Seul të Koresë së Jugut, se ishte i lumtur që nderohej me çmimin prestigjioz “Pak Kyong-ni” për vitin 2019. Çmimi do t’i dorëzohet shkrimtarit më 26 tetor, në qytetin Wonju, me një ceremoni të veçantë.
”Kadare, 83 vjeç, ka qenë një nga autorët më me ndikim në Evropë, që nga debutimi i tij i parë, në vitet 1960. Në 2005-ën, ai u bë shkrimtari i parë që mori çmimin “Man Booker International”, për të gjithë punën e tij. Është kandiduar shpesh, për Nobelin në letërsi”, – shkruan ”Korean Herald”. ”Debutoi në vitin 1963, me ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ndërkohë që në veprat e tij më të mira, klasifikohen pedhe ‘Kështjella’, ‘Prilli i thyer’ dhe ‘Lulet e ftohta të marsit’”.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jugkoreanë në Qendrën e Shtypit në Seul, Ismail Kadare tha se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë.”
Por, shtoi ai, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe “njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.”
“Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste,” tha shkrimtari Kadare.
Ai foli për frymën universale të letërsisë dhe tha se edhe në Shqipërinë dikur të izoluar njerëzit megjithatë dinin për Korenë dhe për realitetin e dyfishtë të popullit korean.
Pastaj shkrimtari iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Duke folur për fituesin e Nobelit në letërsi për vitin 2019, shkrimtarin Peter Handke, i cili u bë objekt debatesh për lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, Ismail Kadare tha se është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë. Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë çmimin Handkes, tha ai.
“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.
Ai tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.
Ndërsa foli për çmimin “Nobel”, që për këtë vit iu akordua austriakut Peter Handke, i cili kishte mbrojtur Millosheviçin, Kadareja tha se ekziston një vijë, që letërsia nuk duhet ta kalojë, por në fakt, Handke e ka kaluar.
Po gjatë konferencës për shtyp, në Seul, pasi mori çmimin e letërsisë “Pak Kyong-ni 2019”, Kadare tha vrasja nuk duhet të pranohet në asnjë rrethanë.
“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të, disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë” – ka theksuar Kadare.
Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë, më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon. Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve.