MENU
klinika

Nga The Economist

Kontradikta e madhe ‘një shtet, dy sisteme’

12.10.2019 - 11:07

Kjo është një kontradiktë themelore midis kërkimit për liri, demokraci dhe përgjegjshmëri qeveritare nga ana e shumë njerëzve të Hong Kong-ut dhe dëshirës së Pekinit për të mbajtur kontrollin sovran.

Paradoksi i “një vendi, dy sisteme” është se inkurajon aspiratat për demokracinë liberale “të stilit perëndimor” ndërsa vendos kufij për arritjen e këtyre shpresave. Aspiratat ushqehen nga sundimi i ligjit, pavarësia gjyqësore, mbrojtja kushtetuese e të drejtave të njeriut, shtypi i lirë dhe shoqëria e gjallë civile në Hong-Kong. Kufijtë diktohen nga natyra e sistemit politik të Kinës dhe ideologjia e saj dhe “Lufta e Ftohtë” e lindur midis Kinës dhe Amerikës.

Deri kohët e fundit “një vend, dy sisteme”, siç përcaktohet në Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike të vitit 1984 dhe Ligjin Themelor të Hong Kongut, ishte kryesisht një sukses.

Megjithatë që nga qershori, Hong Kongu ka përjetuar trazira civile. Shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, janë të pakënaqur me një vend, politikën e dy sistemeve, nuk i besojnë as qeverisë së Hong Kong-ut, as qeverisë kineze, e identifikojnë veten më shumë si qytetarë të Hong-Kongut, sesa qytetarë kinezë, madje e konsiderojnë Republikën Popullore të Kinës dhe kontinentin kinez të huaj.

Si arritëm në këtë situatë dhe çfarë tregon kjo për të ardhmen? Preteksti ishte një ligj i propozuar për ekstradimin e të dyshuarve kriminelë. Protestuesit shqetësoheshin që nëse projektligji miratohej, njerëzit e Hong-Kongut do të ekstradoheshin në territorin e Kinës për t’u përballur me gjyqin.

Sidoqoftë, shefja ekzekutive e Hong-Kongut, Carrie Lam dhe këshilltarët e saj besuan sinqerisht se projektligji nuk ishte as i keq dhe as shtypës, por një përpjekje me qëllim të mirë për të përmirësuar bashkëpunimin gjyqësor të Hong Kong-ut me juridiksione të tjera, veçanërisht territorin e Kinës dhe Tajvanit.

Që nga qershori, protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore.

Edhe pse ata argumentojnë se qeveria i është përgjigjur vetëm një prej kërkesave, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Qeveria u është përgjigjur të gjithave, jo gjithmonë në mënyrën që u pëlqen protestuesve.

Sipas kërkesës së parë dhe kryesore, Lam premtoi në 4 shtator që të tërhiqte projekt-ligjin. Kështu që protestat kanë arritur qëllimin e tyre fillestar.

Në kërkesën e dytë, për një hetim të pavarur se si policia trajtoi protestat, Këshilli ekzistues i Pavarur i Ankesave në Polici (IPCC) ka caktuar pesë ekspertë jashtë shtetit (nga Britania, Kanada, Australia dhe Zelanda e Re) për të ndihmuar në një çështje të tillë.

Në kërkesën e tretë, për të hequr emërtimin “trazira” në protestën e 12 qershorit (dita e planifikuar fillimisht për leximin e dytë të projekt-ligjit),  Lam theksoi se përdorimi i saj i mëparshëm i këtij termi nuk kishte “asnjë efekt juridik” dhe se Departamenti i Drejtësisë do të trajtojë çdo rast në bazë të provave dhe ligjit.

Kërkesa e katërt është që të gjitha akuzat kundër protestuesve të rrëzohen. Lam e ka quajtur këtë të papranueshme dhe në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe Ligjin Themelor.

Kërkesa përfundimtare është futja e menjëhershme e drejtësisë universale. Lam ka pranuar se e drejta universale është me të vërtetë qëllimi përfundimtar i zhvillimit politik të Hong Kongut siç përcaktohet me Ligjin Themelor, por kjo mund të arrihet vetëm brenda kornizës dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin Themelor.

Të marra së bashku, qeveria e Hong-Kongut duket se beson se ka bërë tashmë gjithçka mund t’i përgjigjet kërkesave të protestuesve, veçanërisht duke tërhequr projekt-ligjin për ekstradim, kështu që nuk mund të bëhen lëshime të mëtejshme.

Qeveria e Hong-Kongut tani përballet me zgjedhjen e vendosjes së më shumë masave emergjente, ose të inicimit të një dialogu. Ky i fundit do të ishte më i pranueshëm për njerëzit e Hong Kongut, dhe ndoshta më efektiv.

Askush nuk mund ta dijë se sa do të zgjasin trazirat.

Megjithatë, kontradiktat në një vend, me dy sisteme, të përkeqësuara nga polarizimi politik dhe problemet socio-ekonomike të shoqërisë, janë të destinuara të ‘plagosin’ rëndë territorin dhe të ardhmen e tij.

Albert H.Y. Chen është professor në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Hong Kong-ut.