Për 106-vjetorin e botimit të parë të revistës “Hylli i Dritës”, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ekspozoi pasditen e djeshme, në mjediset e Kalasë së Tiranës, një pjesë të numrave të revistës së themeluar nga At Gjergj Fishta, në tetor të vitit 1913./Konica.al
Publiku i gjerë pati mundësinë të shohë nga afër, kopje origjinale të revistës që ka pasur një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, si shprehja më e pastër e intelektualëve.
Ekspozita vjen në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Kalanë e Tiranës.
Pjesëmarrësit panë me interes koleksionin që ruhet në Bibliotekën e DPA-së dhe në Bibliotekën Kombëtare. Po ashtu, publiku do të ketë mundësi dhe gjatë gjithë ditës së sotme, të shohë nga afër revistën, që pati një rol themeltar në formimin kulturor të Shqipërisë.
Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar. Themeluesi dhe drejtuesi i revistës më prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, e pasur me analiza dhe tekste, shkruar plot dije e kulturë, u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e vërtetë e tyre.
Në ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës”, Gjergj Fishta ndër të tjera, shkroi:
“Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme:
a) mbi pavarësinë politike,
b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme,
c) mbi ekonominë,
d) kulturën dhe
e) moralin.”
“Hylli Dritës”, duke bashkuar elitën më të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që e kulturoi kombin. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj jo më kot Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”
Si një “ABC” politiko-kulturore, ajo do të ishte shpirti i kombit. Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore. Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik… Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë. “Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore.
Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë. Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”
Fishta, mendimtari dhe poeti i kombit, përmes të cilit gjenden shtigjet për të ecur kah e nesërmja!..