Ajo që duhet mbajtur mend patjetër nga ky manastir, është fakti se i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës. Duke qenë se gjuha zyrtare e Perandorisë Bizantine ishte greqishtja, në fillimet e saj kjo kishë quhej Agi Saranda, që do të thotë pikërisht 40 shenjtorë, ku me kalimin e kohës përcaktimi shenjtorë ra dhe mbeti vetëm numri dyzet në emër – Saranda.
Manastiri i 40 Shenjtorëve, rikujton historinë e dyzetë ushtarëve kristianë të cilët nuk pranuan të hiqnin dorë nga besimi i tyre pavarësisht vuajtjeve të cilat, ju desh të duronin. Që prej asaj periudhe (shekulli i katërt) ushtarët konsiderohen martirë të fesë kristiane. Manastiri i 40 shenjtorëve i shekullit VI, nga ka marrë dhe emrin qyteti i Sarandës, sipas legjendës u ndërtua për sakrificat e heronjve , 40 ushtarë romakë të cilët u flijuan në emër të zotit. Për këtë sakrificë heroike, feja ortodokse i shpalli ata të 40-të shenjtorë, ku edhe sot në Manastirin me të njëjtin emër ekzistojnë të gdhendura emrat e tyre.
Manastiri i 40 shenjtorëve është një objekt kulti unikal, për stilin e ndërtimit. Bazilika dhe manastiri i “40 Shenjtorëve”, që ndodhet në majën e kodrës, qëndron përballë Kalasë së Lëkurësit.
Manastiri ndodhet vetëm 4 kilometra larg qendrës së Sarandës dhe legjenda që lidhet me 40 ushtarë të arrestuar kristianë, tregon se ata i përkisnin Legjionit 12-të “Rrufeja”. Atyre u kishin vënë alternativën: o të ndërronin fenë, o të pranonin vdekjen në kushtet e të ftohtit. Pranë vendit të martirizimit nuk mungonte dhe një banjë e ngrohtë në dispozicion të atij që do të ndërronte mendje. Por, ata refuzuan dhe u dënuan me torturë, duke i detyruar të qëndronin lakuriq në të ftohtin e dimrit dhe të qelive.
Sipas gojëdhëna të njohura në Sarandë, thuhet se prej tyre, 30 ishin të shenjtë dhe 10 demonë, të cilëve u përket nga një dhomë e nëndheshme.
Në qelitë janë zbuluar piktura murale, mes të cilave ajo e një dishepulli që vlerësohet si një nga më të vjetrat e periudhës bizantine.
Manastiri duhet të jetë ndërtuar si qendër e rëndësishme pelegrinazhi, për të tërhequr besimtarët kristianë nga gjatësia e Adriatikut dhe thellësia e Ballkanit. Mendohet se kisha ka qenë funksionale deri në mesin e shek.19-të, falë kujdesjes së një komuniteti të vogël murgjish. Më pas, bazilika u braktis.