Ai është pjesë e skuderisë Ferrari, por tashmë në moshën 20-vjeçare ai kërkon të debutojë në Formula.
Bëhet fjalë për Mick Schumacher, djalin e 7 herë kampionit të botës, legjendarit Michael Schumacher. Aktualisht, Mick garon me makinën Prema në Formula 2.
“Të garoj në Formula 1 ka qenë gjithnjë ëndrra ime dhe kjo është ajo që dua të bëj në të ardhmen. Ndihem gati, ashtu sikurse të gjithë pilotët e tjerë, që ashtu si unë garojnë në Formula 2. Pjesëmarrja në këtë kategori të ndihmon shumë, të mëson se si të menaxhosh gomat e mjaft gjëra të tjera”, – u shpreh Mick Schumacher.
Gjithsesi, piloti i ri gjerman shprehet se ka një kusht të rëndësishëm për t’u ngjitur në kategorinë më të lartë të automobilizmit: Të garojë.
“Nëse do të vijë rasti i duhur, do ta pranoj me vrap. Gjithsesi, më mirë preferoj të garoj edhe një vit tjetër në Formula 2 se sa të jem pilot rezervë në ndonjë skuadër të Formula 1. Dua të garoj dhe mësoj, jo të shoh”, përfundoi Mick Schumacher fjalët e tij për revistën “Auto Week”.