MENU
klinika

Frederik Rreshpja

Migjeni: profeti që thyente statujat e gjalla…

02.10.2019 - 17:50

     Fishta zbriti nga empiri iliro-shqiptar, gjëmues dhe madhështor si Zeusi. Migjeni erdhi në letersinë shqipe thjesht dhe pa bujë. Askush s’e ka ditur që në gjoksin e këtij të riu elegant vullkanizonte një talent tronditës. Koha pretendonte një kthesë që s’u bë kurrë. Vendi tragjik i shqiponjave, toka e fundit mitologjike e kontinentit, duke u zhveshur nga misteret e lashta të vonuara e madje deri groteske për këtë epokë të re, duke e thyer lehtë guaskën aziatike, kërkonte vendin e vet në Evropë, nën flamurin e një monarku sa demokrat, aq dhe diktator, një farë reformatori për të qarë e për të qeshur, po të perifrazoj mikun tim të ndjerë, mendjendriturin Nonda Bulka./Konica.al

Migjeni e kuptoi se kishte kaluar koha e kalorsisë dhe e kryelartësisë fisnike, e ceremonive gjysmë të krishtera, gjysmë pagane. Ishte koha e politikës, e portofoleve. Në këtë boshllëk moral dhe ideor, poeti mund të humbte si lunatik. Poetët nuk mbanin më dafina, por kollare. E njëjta gjë do të ngjiste më vonë, në ditët tona.

 

 

 

 

 

Po ajo katrahurë, dalja e dytë nga mitet (tashmë nga agonia më absurde), ecja drejt Evropës, jo më me dinjitetin e një kombi të lavdishëm, por nëpër anije, tragete dhe klone. Shqipëria nuk mban më mbi supe rreckat e viteve e kodeve, por rreckat e varfërisë. Në këmbë të një mbreti gjysmëdemokrat, giysmëdiktator, kemi një president modern, por po aq të përgjysmuar. Kemi dhe një parlament të përgjysmuar. Qeveria po ashtu. Edhe Partitë: Pranë komunistit të djeshëm, rri ish-i dënuari i ndërgjegjës. Çdo gjë si më parë, historia përsëritet pamëshirshëm, dy herë brenda një shekulli.

Të dalë nga diktatura e dytë, si nga një kataklizëm, përsëri jemi nisur drejt Evropës. Dhe përsëri, ashtu si dikur komunizmi, tinzak dhe gjaksor, dikush pret aty përpara tek porta e historisë. Zoti na ruajt!/Konica.al

Vetëm Migjeni mungon.

Gazetarët tanë janë tepër partiakë për të pasur një vizion të saktë. Shkrimtarët gjithashtu. Dalja e një Migjeni të dytë do të ishte një luks i jashtëzakonshëm për një popull tre milionë. Shkrimtarët e sotëm nuk do ta pranonin vetminë madhështore të Migjenit. Ata do të shqyheshin gazit para një burse studimi për në Tivar apo Manastir. Por, të jemi të saktë, kjo vetmi madhështore sot nuk i shkon asnjeriu. Avionët venë e vinë nga metropolet. Dikujt i shkon Parisi, dikujt Nju Jorku. Kurse Migjeni është vetë metropol. (Le ta çudisim këtë popull me postmodernizmin! më shumë se çdo gjë na duhen metafora! Jemi tepër elegantë, të varfër e të pambrojtur për të ndërhyrë mes përleshjeve të partive).

 

 

 

 

 

Mirëpo Migjeni thyente statujat e gjalla. Ai ishte trim, megjithëse askush nuk qe më elegant, më i varfer dhe më i sëmurë se ai.

 

Përmbi të gjitha, Migjeni qe profet. Uleshin zanat nga malet dhe shiteshin (në Hotel Tirana). Zhburrërohej malësori për misër (për ca lecka greke e një TV kolor). Kush i vjedh këto ndihma? A doni antibiotikë zotni? Nga oxhaku u shkëput një shkëndi, një refugjat. Hajduti therret kapeni hajdutin, komunistët e konvertuar gjithashtu. Kudo Migjeni është tragjikisht aktual. Pak dritë, o vëlla! – thërret kështu poeti i vdekur. Mbase thjesht perëndinë e vogël të stacionit elektrik që ndërpret korentin kur jemi duke ngrënë bukën tonë të varfër.

Asnjëherë nuk kemi pasur kaq shumë nevoje për një gjeni. Në politikë, në art, në ekonomi, makare në sport. Të bindet njeriu! – thërriste Migjeni. Çdo gjë e kemi të përgjysmuar. Edhe lirinë, edhe demokracinë. Mbi të gjitha, edhe atdheun e kemi të ndarë përgjysmë. Biem të flemë dhe mendjen e kemi në Kosovë, shtrijmë dorën të prekim krahun tjetër dhe kujtohemi edhe në gjumë se kufiri kalon mbi gjoksin tonë, e njeri krah yni është matanë. Tamam si Poradeci hyjnor, shkrimtari ynë i madh rri në Paris, përbuzës dhe zemrak si poet i vdekur, nevrikoset me gjysmën e shkrimtarëve më të mirë të kombit dhe bën figura të bukura, i çoroditur plotësisht politikisht.

 

 

 

 

 

Megjithatë mos të blasfemojmë, o njerëz! Nuk ka si të jetë i mallkuar një popull që nxjerr gjeni, një popull tolerant dhe i dashur, trim dhe krenar. Migjeni e zbuloi i pari këtë, prandaj u dashurua pas popullit të vet. Migjeni nuk shkroi poema e novela për diktatorët, por për të uriturit. Ai nuk do të bëhej shef i LSHA, as i Frontit, as në KQ, as gjysmëdesident, as gjysmëdemokrat.

Migjenin do ta vrisnin pikërisht gjysmëdemokratët.

Sot, ai është i pagoditshëm, mbasi statuja e tij është gdhendur në një mermer të pavdekshëm. I ri dhe i bukur, megjithëse jetoi e shkroi aq pak, Migjeni është i plotë dhe me fatin e statujave rinore të Praksiteli. Një shkrimtar amerikan, duke perifrazuar Lukianin, është shprehur kështu: “Populli dhe qyteti që ka lindur burra të tillë, është i lumtur”.

 

 

 

 

Vërtet, lumturisë sonë i mungojnë shumë gjëra, por jo gjenitë. E kemi këtë fat./Konica.al

(Frederik Reshpja)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Baudelaire dhe Rreshpja

Mallkimi i të qenit poet


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen