MENU
klinika

Reforma në drejtësi

Ministrat e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Tiranë

03.10.2019 - 16:04

Ministrat e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar në lidhje me reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila ka bërë të mundur bashkëpunimin rajonal me gjithë grupin ministror për të dytin vit radhazi.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Gjonaj ka theksuar se kjo iniciativë e përbashkët do të shërbejë si shembull pozitiv mbi ndërmarrjen e reformave thelbësore shtetformuese për qytetarët.

“Ditën e nesërme, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kam nderin të pres në Tiranë ministrat e Drejtësisë të Ballkanit Perëndimor, trupën diplomatike, ligjvënës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe Medias për të diskutuar mbi sistemin e drejtësisë. Rezultatet e reformës në drejtësi në Shqipëri vijojnë të përmirësohen ndjeshëm, duke na dhënë mundësi që ne të tregojmë modelin tonë të suksesit për një prespektivë më të gjerë rajonale. Edhe pse kemi shumë për të rrëfyer, akoma edhe më shumë kemi ende për të mësuar“, shkruan Gjonaj.

Konferenca është menduar të titullohet “It’s all about justice”, punimet e së cilës do të zgjasin disa orë ku veç të tjerash, në qendër do të jetë një platformë bashkëpunimi e ofruar nga RCC.