Është mbajtur për herë të parë, në Londër, panairi ku veprat e artit mund të vëzhgoheshin në mënyrë digjitale. Kritikët e artit kanë mbetur të befasuar me mënyrën e re të prezantimit, si një dukur e pahasur më herët.
Studioja e artit “Acute Art” në bashkëpunim me artistin koreano-jugor Koo Jeong A, kanë prezantuar një vepër artistike në realitetin e shtuar, në mesin e më shumë skulpturave tradicionale. Thuhet të jetë vepra e parë artistike në realitetin e shtuar e “Frieze”.
Realiteti i shtuar, siç njihet, gërsheton përmbajtjen digjitale me botën reale rreth jush, duke përdorur kamerën e telefonit të mençur ose kufjet speciale. Teknologjia bëri bujë gjatë çmendurisë “Pokémon Go” para disa vitesh.
“Density” duket si një copë akulli që pikon, varur në ajër. Për ta parë atë, vizitorët duhet të shkarkojnë një aplikacion të realitetit të shtuar në cellular dhe më pas, fillojnë të kërkojnë veprat artistike. “Është hera e parë që veprat në realitetin e shtuar, hyjnë në një panair arti dhe në vendet më konvencionale, një park mbretëror me skulptura”, – është shprehur Daniel Birnbaum, drejtor i “Acute Art”.
Veprat e Koo Jeong A-së, janë shpesh kalimtare, që fokusohen në dukjen në përditshmëri dhe shpesh, ndalen në të padukshmen. Tri edicione të veprave, janë vendosur rreth e rrotull “Regents Park”. Birnbaum tha, se vepra artistike është po kaq e lehtë, për mjedisin sa edhe për syrin.
“Mendoj se ofron mundësi të mëdha për artin, madje edhe për koleksione dhe ekspozita, dhe është interesant se, dikush mund të bëjë gjëra shumë ambicioze në realitetin e shtuar, duke i bërë ato të duken shumë bindëse. Këto vepra nuk çlirojnë dioksid karboni, nuk kanë shpenzime për dërgesa, nuk kanë vlerë siguracioni. Në epokën tonë, këtë e shoh si shumë të rëndësishme“, -ka vlerësuar Birnbaum.