MENU
klinika

"Nuk luaj me fjalët"

Pol Valeri – Të bëhesh ajër dhe erë…

30.10.2019 - 17:15

     Çdo mëngjes, për më shumë se 50 vjet, përpara se të fillonte jetën e zakonshme, Pol Valeri shkruante. Ai mbushi mijëra faqe në më shumë se 260 fletore. Poet i brishtë dhe përvëlues, i ndjeshëm dhe tërheqës. Pol Valeri lindi më 30 tetor 1871, në Sète, qytet të cilin ai e përjetësoi me poemën e famshme “Varreza detare”, ku e krahason detin me një “çati të qetë, ku ecin pëllumbat”. Pikërisht në këtë varrezë detare të Sète-s, prehen sot eshtrat e tij, pasi qe një nga poetët e fundit francezë që njohu varrim nacional,  me kërkesën e Sharl dë Golit, vetëm disa javë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore./Konica.al

Imagjinoni një njeri që çdo ditë të jetës së tij e detyronte veten të ishte inteligjent, duke u stërvitur si një atlet i nivelit profesionist: i jepnin kënaqësi të ashtuquajturat “ushtrime atletike në mëngjes në gjëra mendore dhe verbale” . Çdo ditë vizatonte, kompozonte poezi, shkruante mbi shkencën, vallëzimin, arkitekturën, politikën, historinë ose filozofinë. Gjithçka filloi nga një brishtësi emocionale, të cilën ai përpiqej ta luftonte dhe që përfundimisht arrin ta mposhtë.

 

 

“Më ndodh shpesh kur gjendem, ashtu si sot, në një vend publik, në një sallë shfaqjesh a koncerti, ku janë dyndur një mori fytyrash, janë mbledhur një mori ekzistencash, më ndodh të mendoj për gjithë kujtimet e një kuvendi të tillë, për atë që do mund të dalë nga rrëfime të mrekullueshme”.

Tek poezia, poeti gjen qetësinë e dëshiruar, thurja e vargjeve e bën të jetë i lumtur dhe krenar, dhe ka të drejtë, pasi përmes vargjeve, poezia ka magjinë e vetë të artë.

Ngaqë i shumëfishonte ligjëratat, parathëniet dhe fjalimet e varrimit, në të gjallë të tij Valeri  u qesëndis si “Bossuet i Republikës së Tretë”. Edhe në ditët e sotme duket sikur ka mbetur peng i imazhit të atij njeriut të letrave me jakë të rreme, i ftohtë, intelektual dhe mondan.

Në moshën 25-vjeçare, pas disa poezive të bukura që i dhuruan një reputacion të hershëm në mjedisin letrar të fundit të shekullit XIX, Valeri thuajse hoqi dorë nga të shkruarit, kaloi nëpër një krizë të gjatë, më pas, njëri pas tjetrit, nxori në pah dy kryevepra: “Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit” dhe “Mbrëmja me zotin Teste”, për t’u bllokuar më pas, në një punë konçize si redaktor në Ministrinë e Luftës dhe angazhohet në kërkime abstrakte në “Fletoret” e tij./Konica.al

Pol Valeri zë një pozicion në historinë e letrave franceze, që është njëherësh strategjik dhe tejet problematik. Kritikët i kanë ngjitur emërtime të ndryshme, të gjitha pjesërisht të sakta. U quajt simbolisti i fundit, i pari postsimbolist, një prosodist klasik mjeshtëror, avokat i pozitivizmit logjik dhe një intelektual narcist.

 

 

Duke refuzuar poezinë, Pol Valeri, i pritur nga të gjithë si poeti i brezit të tij, futi në shekullin XX një ndërprerje rrënjësore. I neveritur nga “letërsia letrare”, Valeri vendos që poezia nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një formë të dijes. Pra, kushti i parë që duhet të përmbushë artisti është të kuptojë mekanizmat e tij mendorë. Egotizmi valerian është një metodë, në të cilën shpërthen egoja, e marrë si objekt, e shpërndarë dhe e përballur me vetveten.

“Në thellësi, poezia dhe letërsia është teknika për t’u drejtuar dhe orientuar, që të bëhesh ajër dhe erë duke kapërcyer caqet për balonin tënd. Ky balon duhet të fluturojë edhe atëherë, kur vetë qielli nuk ekziston, apo është zhdukur…Nuk luaj me fjalët. Flas për lëvizjen dhe zbulimin që bën dikush në çast, kur arrin t’i hapë krahët diçkaje dhe t’i japë jetëgjatësi më të madhe”, – shprehet ai./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit