MENU
klinika

Trump ka një përgjigje për skeptikët

Puna e Amerikës nuk është të jetë police!

24.10.2019 - 18:52

“Kemi shpenzuar 8 trilionë dollarë në luftëra në Lindjen e Mesme, duke mos dashur kurrë t’i fitojmë ato luftëra”, tha presidenti amerikan, Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Shpallja e suksesit erdhi një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, arritën marrëveshje për ndarjen e kontrollit të një zone përgjatë kufirit Turqi-Siri.

“E vetmja pyetje është nëse presidenti Trump po vepron drejtpërdrejt me urdhër të udhëheqësve rusë dhe turq, apo ai qëllimisht është i verbër ndaj dështimeve të veta”, tha senatori demokrat, Bob Menendez, nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Trump iu përgjigj skeptikëve, duke thënë se puna e ushtrisë amerikane nuk është të jetë police në botë.

“Të tjerët kanë dalë për të ndihmuar dhe ne i mirëpresim ata”, tha Trump.

“Duke e duartrokitur në mënyrë implicite Rusinë për partneritet me Turqinë, për të patrulluar në një pjesë të kufirit sirian, Trump duket se mbështet ambicien e Moskës për të pasur ndikim më të madh në Siri”, shkruan AP.

“Duke vepruar kështu, presidenti i përmbys përpjekjet e mëparshme të Uashingtonit për të kufizuar ndikimin e Rusisë në të vetmin vend të Lindjes së Mesme, ku ka prani të përhershme ushtarake”, vlerëson AP.

Gazeta Foreign Affairs shkruan se vendimi i Trumpit për tërheqjen e Trupave nga Siria dëmton edhe reputacionin e ushtarëve amerikanë, që kanë luftuar në Siri.

Disa prej tyre janë shprehur të turpëruar, pasi kanë braktisur aleatët e tyre kurdë, me të cilët kanë luftuar kundër grupit militant Shteti Islamik.

Sipas gazetës, tri institucione të rëndësishme për politikën e jashtme amerikane – komuniteti i inteligjencës, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni – tani i kanë dëmtuar marrëdhëniet me presidentin.

Është thënë se këto institucione nuk janë pajtuar me tërheqjen e ushtarëve nga Siria.

“Sulmet e Trumpit mbi proceset vendimmarrëse i kanë mundësuar atij të personalizojë dhe privatizojë politikën e jashtme amerikane, shpesh në mënyra që i sjellin dobi Kremlinit, më shumë sesa Shtëpisë së Bardhë”, shkruan Foreign Affairs.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN