Ai mund të jetë një nga udhëheqësit më të njohur, dhe të frikshëm, në skenën botërore, por shumë gjëra për diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, janë “të mbuluara” me mister.
Edhe kur ishte fëmijë, zyrtarët besnikë të dinastisë Kim shpërndanin mite për udhëheqësin e ardhshëm, me qëllim që të ndërtonin një kult rreth tij, shkruan Mirror.
Madje, pretendohej se ai mund të gjuante me armë në moshën tre vjeçare, dhe Koreanëve të Veriut iu ishte thënë se Kim i ri ishte aq i saktë për të marrë në shenjë sa që mund të godiste një llambë nga 100 metra largësi.
Gjithashtu, kur ishte tetë vjeç, ai u tha se ishte në gjendje të drejtonte një kamion me 130 km/h shpejtësi.
Megjithatë, edhe si i rritur ai është larg nga të qenit një “libër i hapur”, deri në atë pikë sa askush nuk është as i sigurt se sa vjeç është dhe sa fëmijë ka.
Sipas Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut, Kim ka tre fëmijë.
Një libër i fundit, “Pasardhësi i Madh” nga Anna Fifield, zbuloi shumë më tepër për udhëheqësin e Koresë së Veriut sesa ishte njohur më parë.
Sipas Fifield, një kuzhinier u pagua për të qenë shoku i tij më i mirë si fëmijë, dhe në festat e ditëlindjes së tij morën pjesë zyrtarë të rangut të lartë dhe jo fëmijë të tjerë.