MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Si t’i përgjigjet SHBA, Iranit?

07.10.2019 - 15:26

Herët në mëngjesin e 14 shtatorit, dronët goditën dy objektet kryesore të naftës në Arabinë Saudite, duke prekur afro gjysmën e prodhimit të eksportuesit më të madh botëror të naftës, 5% të furnizimit global.

Sulmet, të pretenduara nga rebelët Houthi të Jemenit, por që i atribuohen gjerësisht Iranit, janë një moment delikat për politikën e Lindjes së Mesme dhe tregjet globale të energjisë, pasi ato sfidojnë drejtpërdrejt edhe dominimin e Amerikës në Gjirin Persik dhe rolin e Arabisë Saudite si furnizuesi i naftës në botë.

Por tensionet e tanishme janë të rrënjosura në dinamikën e fuqisë rajonale që daton nga pushtimi i Irakut i udhëhequr nga SHBA në vitin 2003. Ky dështim spektakolar e shtyu Trump dhe paraardhësin e tij, Barack Obama, të sinjalizonin një fund të gati tetë dekadave të hegjemonisë amerikane në Gjirin Persik .

Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga luftërat në Lindjen e Mesme, veçanërisht për shkak se avantazhi i saj i madh ushtarak nuk është përkthyer në një ndikim të qëndrueshëm politik. Por tërheqja e Amerikës ka lënë një boshllëk strategjik, të cilin aktorët më me ndikim të rajonit po pretendojnë ta mbushin.

Së pari ekziston Turqia, e cila ka shtrirë ndikimin e saj ushtarak dhe ekonomik në rajonin e Gjirit Persik, duke vendosur baza ushtarake në Katar. Sidoqoftë, shumë më agresiv është Irani, i cili nuk e fsheh dëshirën e tij për të dëbuar SHBA nga rajoni dhe rrëzuar monarkinë Saudite.

Sulmi i Iranit shërbeu një qëllim tjetër të rëndësishëm: minimin e pozitës qendrore të Arabisë Saudite në tregjet globale të naftës. Me rreth 23% të rezervave të provuara në botë, Arabia Saudite ka zhvilluar mjaftueshëm kapacitet prodhimi rezervë për të shërbyer si “prodhuesi i lëkundshëm” që stabilizon tregun.

Sigurisht, SHBA nuk do të qëndrojë pa bërë asgjë: Trump tashmë ka urdhëruar Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin që të forcojë sanksionet ndaj Iranit. Por kjo nuk ka gjasa të ketë efektin e synuar.

Ajo që është me të vërtetë e nevojshme është një goditje proporcionale hakmarrëse kundër Iranit.

Arabia Saudite nuk mund ta kryejë atë pa e përshkallëzuar ashpër konfrontimin rajonal, por SHBA mundet.

Tani, përparësia kryesore duhet të jetë përgjigjja ndaj sfidës së fundit të Iranit, përpara se të zhvillohet një sulm tjetër.

Bernard Haykel është Profesor i Studimeve të Lindjes së Afërt dhe Drejtor i Institutit për Studimin Transregonal të Lindjes së Mesme Bashkëkohore, Afrikën Veriore dhe Azinë Qendrore në Universitetin Princeton.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen