MENU
klinika

“Quo Vadis”

Sienkiewicz, autori katolik i trashëgimisë myslimane?

01.10.2019 - 14:35

     Të shumtë janë ata që e kanë lexuar dhe shijuar “Quo Vadis”, por shumë pak e njohin autorin e veprës. Një nga shkrimtarët shumë të dashur në Poloni, Henryk Sienkiewicz arrin të ofrojë  më tepër sesa vetëm një roman. Rritur në një mjedis familjar ekzotik, me një jetë të mbushur plot aventura dhe histori të ndryshme, Sienkiewicz mund të konisderohet pa frikë, babai i letërsisë polake. Ai mund të jetë suksesi më i madh botëror i tregimtarit të letërsisë polake, veçse arsyet se pse polakët e duan kaq shumë gjenden diku tjetër. Romani i tij i vitit 1896 “Quo Vadis”, një histori dashurie dhe ambicie (dhe konflikti fetar) i vendosur në Romën dekadente të shekullit të parë pas erës sonë, u përkthye në më shumë se 50 gjuhë dhe është një nga librat më të shitur të të gjitha kohërave në letërsinë botërore. Në fakt, mbetet i vetmi libër polak që ka gjetur një vend solid në kodin e letërsisë botërore./Konica.al

Fituesi i çmimit “Nobel” në letërsi në vitin 1905, Henryk Sienkiewicz është një nga thesaret e letërsisë polake. Nga pena e tij mjeshtërore lexojmë përshkrime të hollësishme historike të përziera me tregime drithëruese dhe personazhe heroikë, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për të mirën më të madhe, përshkrime që ishin thelbësore në ruajtjen e shpirtit kombëtar gjatë ndarjeve.

 

 

 

 

 

Sidoqoftë, në Poloni Henryk Sienkiewicz më së shumti është i famshëm si autor i trilogjisë: “Me zjarr dhe shpatë”, “Përmbytja” dhe “Zjarr në stepa”, e cila bën kronikën e ngjarjeve më të rëndësishme historike të shekullit të 17-të, duke përfshirë revoltën e kozakëve, pushtimin suedez dhe luftërat midis Polonisë dhe Perandorisë Osmane, vepra të cilat do t’i gjeni në raftin e librave të çdo familjeje polake. Trilogjia është epika historike e vendosur në mesin e shekullit të 17-të, kohë e trazirës së madhe politike, e cila gati e çoi vendin drejt fundit. Në këtë libër, Sienkiewicz, ndikuar edhe nga romanet perëndimorë amerikanë, endi një kast më të gjallë të heronjve dhe batakçinjve kombëtarë, të portretizuar kundër sfondit ekzotik të kufijve të “egër” lindorë të Polonisë, më e rëndësishmja është se ai krijoi një vizion të qëndrueshëm të historisë polake. Në njëfarë mënyre ishte Sienkiewicz që paracaktoi sesi polakët në ditët e sotme vizualizojnë të kaluarën e tyre si një komb – me gjithë avantazhet dhe dizavantazhet e mundshme.

Në trilogji, Sienkiewicz shkruajti ndoshta rreth argumentit të krizës më të madhe politike në historinë e shtetit polak. Çasti kur Polonia, e sulmuar nga Turqia dhe Suedia, dhe e rrënuar nga revoltat e brendshme të kozakëve, u gjend në prag të kolapsit… Dhe megjithatë disi arriti të mbijetojë. Kjo, sipas Sienkiewicz, ndodhi falë përpjekjeve patriotike heroike të ushtarëve polakë, të cilët ai i përshkruan më shumë si kalorës mesjetarë me idealet e tyre të nderit, trimërisë dhe besnikërisë. Trilogjia ishte njëlloj epike kombëtare, si “Iliada” e re – me Zbaraz, një kështjellë e fortifikuar në kufirin më të largët lindor, duke u shndërruar në Trojën polake.

 

Shkrimtari katolik i trashëgimisë myslimane?

 

Henryk Sienkiewicz lindi në 1846 në Wola Okrzejska në Poloninë Lindore (jo shumë larg Lublinit), një trashëgimi familjare nga ana e së ëmës. Sidoqoftë, paraardhësit e të atit ishin tatarë lituanezë, një pakicë etnike, e cila filloi të vendoset në rajonet lindore të Dukatit të Madh të Lituanisë qysh në shekullin XIV. Tatarët, të cilët ishin një pakicë e rëndësishme dhe e mirëintegruar (duke kontribuar shumë në potencialin ushtarak të Polonisë) në shtet, flisnin polonisht, por feja që ata respektonin ishte islami (si e tillë ata ishin i vetmi grup i pakicave myslimane që jetonin në Evropë me shekuj). Në fakt, gjyshi i shkrimtarit Michal u konvertua në krishterim vetëm në vitin 1755. Tejet interesante kjo në rastin e një shkrimtari, librat më të rëndësishëm të të cilit trajtonin historinë e konfliktit etnik dhe fetar midis të krishterëve dhe paganëve në “Quo Vadis”, si dhe polakët, turqit, ukrainasit dhe tatarët në Trilogji, për më tepër vetë u bë shkrimtari më karakteristik polak: babai i gurthemelit letrar i identitetit kombëtar polak.

 

 

 

 

 

 

Rrëfimet mjeshtërore të Sienkiewicz, gjuha e pasur dhe mbylljet e shkëlqyera i siguruan atij një vend të sigurt në zhanrin e tregimeve të shkurtra, njëherazi përkthimet e shumta i siguruan famën ndërkombëtare.

Sienkiewicz është kritikuar nga pikëpamje të ndryshme. Disa e akuzuan se gjoja i kishte mbiheroizuar protagonistët e tij polakë, duke idealizuar tej mase personazhet e tyre, ndërsa njëkohësisht i portretizonte armiqtë si krijesa çnjerëzore, më shumë si demonë sesa krijesa njerëzore (imazhi i Khmelnicky). Po ashtu u kritikua edhe për përdorimin e egërsisë së panevojshme. Për Stanislaw Brozowski, një nga kritikët më të shkëlqyeshëm polakë të kohës, Sienkiewicz ishte një apologje i fisnikërisë polake, një klasë shoqërore, të cilën e konsideronte si të prapambetur dhe në rënie. Kështu Sienkiewicz ishte “një klasik i prapambetjes dhe paditurisë polake”. Për të tjerët, si Witold Gombrowicz, Sienkiewicz mbeti një gjeni i fuqishëm, një mjeshtër i shkëlqyer i fjalës që njeriu vazhdon ta lexojë me entuziazëm, pavarësisht hileve të zanatit të tij: “një autor i klasit të parë të klasës së dytë”.

Suksesi global i “Quo Vadis” kontribuoi në vendimin e vitit 1905 të Akademisë Mbretërore Suedeze, për t’i dhënë Sienkiewicz çmimin “Nobel”.

Sienkiewicz vdiq në 1916, dy vjet para se Polonia të rifitonte pavarësinë pas 123 vjet ndarjeje. Gjithsesi, përcaktimi politik i shumë polakëve që luftuan për pavarësinë e Polonisë në luftën I Botërore i detyrohen shumë vizionit historik të Sienkiewicz dhe ndjenjës së krenarisë kombëtare, diçka që ai nguliti në mendjet e polakëve për gjenerata me radhë./Konica.al

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen