MENU
klinika

Mesazh për formimin e Qeverisë së Re

Thaçi reagon pas zgjedhjeve, nuk përmend fituesin

07.10.2019 - 11:53

Një ditë pas zgjedhjeve Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët e vendit dhe partitë politike për procesin e lirë dhe demokratik në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën dje.

Me një postim në faqen e tij në Facebook, Thaçi ka deklaruar se Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike, duke shtuar se e njejta pjekuri politike duhet të tregohet edhe në formimin e qeverisë së re.

Mesazhi i Thaçit:

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi.
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje, pasura nga Lidhja Demokratike e Kosovës.