MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Ballkani i shkatërruar nga nacionalizmi po rindërtohet…

21.09.2018 - 10:35

Nuk ka aspak dyshime se dekadat e fundit kanë sjellë më shumë regres sesa progres në Ballkan. Do të ishte ironike të shohësh një rajon të shkatërruar nga nacionalizmi etnik, të ndërtojnë ura kur shumë të tjerë po ndërtojnë mure.

Me ardhjen e vjeshtës në Evropë, është koha të korren frytet e muajve të punës së vështirë diplomatike në të gjithë Gadishullin Ballkanik.

Më 30 shtator, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) do të mbajë një referendum që mund të çojë vendin në ndryshimin e emrit në  “Republika e Maqedonisë Veriore”. Kjo nuk është thjesht çështje gjuhësore.

Referendumi mund t’i japë fund 27 viteve grindje mes qeverisë maqedonase dhe asaj greke. Greqia kundërshton me forcë përdorimin e emrit  “Maqedonia” , sepse një rajon në Greqi mban të njëjtin emër.

Për më tepër, mbretëria e lashtë e Maqedonisë ka rëndësi të madhe kulturore dhe historike për grekët e sotëm. Nëse një pjesë e madhe e elektoratit maqedonas del dhe voton në mbështetje të ndryshimit të emrit, ndryshimet kushtetuese të kërkuara ka gjasa të kalojnë në parlamentin e Maqedonisë. Në këtë rast, fjala e fundit do të shkonte në parlamentin e Greqisë, i cili gjithashtu do të duhej të votonte për ndryshimin.

Për shkak të mosmarrëveshjes për emrin, Greqia ka bllokuar ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë nga hyrja në BE dhe NATO. Por, tre muaj më parë, qeveritë maqedonase dhe greke arritën në fund një marrëveshje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre dypalëshe.

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, dhe Methju Nimetz, i dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për mosmarrëveshjen e emrit, kanë luajtur rol kyç në suksesin e negociatave.

Në kohën e nacionalizmit të ringjallur, përmendet edhe “Marrëveshja e Prespës”, për liqenin që ndodhet në kufijtë e Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras janë treguar të gatshëm për të përfunduar marrëveshjen.

Ballkani, dhe jo vetëm Ballkani, kanë nevojë për një histori të re, bazuar në realitet, gjë që është pikërisht ajo që parashikon Marrëveshja e Prespës.

Edhe një tjetër mosmarrëveshje “e ngrirë” në rajon së shpejti do të nisë të diskutohet. Në vitin 2011, BE filloi një dialog mes Serbisë dhe Kosovës që ka sjellë përfitime të konsiderueshme në aspektin e lirisë së lëvizjes, tregtisë, mundësive ekonomike, sigurisë, drejtësisë, lidhjes dhe shumë të tjera.

Përkundër këtij normalizimi gradual të marrëdhënieve dypalëshe, mosmarrëveshja themelore midis dy vendeve mbetet e pazgjidhur. Të dyja palët janë shumë të vetëdijshme se status quo nënkupton një kosto të lartë, duke penguar ofertat e tyre të pranimit në BE dhe duke imponuar një barrë të paqëndrueshme ndaj ekonomive të tyre përkatëse.

Duke punuar me Mogherini, Presidentët Aleksandar Vuçiçi i Serbisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës kanë përshpejtuar negociatat e tyre gjatë muajve të fundit, me qëllim arritjen e një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjore. Natyrisht, nuk është e drejta e BE-së të diktojë kushtet e zgjidhjes së konfliktit.

Më pak premtuese është situata në Bosnje dhe Herzegovinë (BiH), ku zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 7 tetor.

Duke qenë të bllokuar në një konflikt territorial dhe administrativ që nga fundi i luftës më 1995, Bosnja dhe Hercegovina është një vend jashtëzakonisht i vështirë për të qeverisur dhe etnocentrizmi vazhdon të dominojë politikën e saj.

 Nuk ka aspak dyshime se dekadat e fundit kanë sjellë më shumë regres sesa progres në Ballkan. Por asnjë konflikt nuk është i pazgjidhshëm kur ka kreativitet diplomatik dhe vullnet politik.

Nëse javët e ardhshme vendimtare përfundojnë mirë, një rajon që u shkatërrua nga nacionalizmi në fund të shekullit të kaluar, mund të nisë të rindërtohet.

Në një kohë kur kaq shumë vende duket se duan të ndërtojnë mure, do të ishte ironike të shohësh Ballkanin të ndërtojë ura.

Havier Solana ishte Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministri i Jashtëm i Spanjës. Ai është aktualisht kryetar i Qendrës ESADE për Ekonominë dhe Gjeopolitikën Globale, pjesë e Institutit Brookings dhe anëtar i Këshillit Global të Agjendës Botërore të Forumit Ekonomik në Evropë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës